Murati: Edhe po të arrihet marrëveshja VV-LDK, besimi në to është zbehur

Sipas opinionistit Artan Murati, vonesat në arritjen e marrëveshjes mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për bashkëqeverisje kanë bërë që të zbehet besimi në këto dy parti.

Edhe pse u quajt fillimisht “koalicion i shpresës”, sipas Muratit në popull më s’ka besim të plotë për këto dy parti se do të bëjnë punë të mirëfilltë.

“Zhgënjimi është evident te elektorati i dy subjekteve. Kosova është vend i vogël dhe mundësia për të diskutuar me elektorat është më se e madhe dhe është evidente se një masë e madhe e elektoratit të VV-së, por sidomos e LDK-së kanë pritur më shumë nga këto dy subjekte. Është e pabesueshme që tre muaj pas zgjedhjeve vazhdon të mos ketë qeveri, e asnjë përafrim që pritej sidomos pas atyre takimeve për përafrim të programeve. Është vënë re lakmi. Ka paqartësi te pozicionet e tyre. Në njërën anë VV-ja po mendon se është fituese absolute e po harron se ka vetëm një deputet më shumë se LDK-ja, e LDK-ja në shumë raste është sjellë sikur ajo është fituese. Mjafton një deputet më shumë për të treguar kush është fituesi. Tre muaj janë shumë për një koalicion të shpresës. Nëse arrihet tashmë marrëveshje, nuk është besimi i plotë në këtë koalicion se do të ketë punë të mirëfilltë. Ka shumë madje mosbesim për to. Ka eksponentë që ka kundërshtuar haptas edhe koalicionin mes dy subjekteve dhe kjo na lë në pozitë të vështirë si qytetarë për të pritur më tepër rezultate nga një koalicion që u tha se do të arrihej për 72 orë”, ka thënë Murati në Interaktiv të KTV-së.

Sipas tij, votimi i Glauk Konjufcës së Vetëvendosjes për kryeparlamentar në seancën konstituive të 26 dhjetorit, ka ndryshuar formën e negociatave mes partive.

“Siç duket VV-ja po ka tendencë të neglizhojë atë që ndodhi më 26 dhjetor. Ka ndryshuar krejt forma se si duhej të shkonin negociatat, kur dihej se ai post ishte në një formë të themi i rezervuar për LDK-në. Madje edhe para zgjedhjeve, VV-ja ia atribuonte atë pozitë zonjës Osmani. LDK-ja ka votuar Konjufcën për të mos bllokuar konstituimin dhe i hapi rrugë formimit të qeverisë. Në mesazhin e fundit të Kurtit shihet se VV-ja s’po e merr parasysh çka ka ndodhur me kryeparlamentarin sepse prapë oferta është 50:50. Më e pakta që ka mundur të bëhej ishte dorëzimi për MPB-në, por tashmë apetitet e LDK-së janë rritur. Pos për presidentin tashmë që është i panegociueshëm, LDK-ja pret që të marrin një ministri më shumë se VV-ja. Kjo gjë duket se s’ka reflektuar në qëndrimin e fundit të VV-së që e bëri publik Kurti për LDK-në dhe të gjithë publik me ato video-mesazhe, që mendoj se s’është mënyra më e mirë për të shtyrë negociatat me një partner me të cilin planifikon qeverisjen”, ka shtuar tutje ai.

Murati ka thënë se të dy partitë do të hasin në probleme për të zgjedhur presidentin, qoftë të propozuar nga LDK-ja, qoftë një konsensual, për shkak se bashkë s’mund të sigurojnë kuorumin e nevojshëm për të votuar për president.

Ai ka thënë se përderisa mund të arrihet marrëveshja me Vetëvendosjen, nuk sheh çarje të re brendapërbrenda LDK-së, por ka shtuar se një gjë e tillë do të mund të nisë që kur të merret vesh përfundimisht se s’ka marrëveshje për bashkëqeverisje me partinë e Albin Kurtit.

Murati ka thënë se “lënia e vazhdimit të takimit VV-LDK për të mërkurën, lë mundësi se mund të arrihet marrëveshja finale”.

“Besoj se është më shumë në duart e VV-së e Kurtit. I takon Kurtit dhe VV-së që të bëjnë ofertën e tyre e cila mund ta kënaqte LDK-në e të arrihet marrëveshja e bashkëpunimit, por edhe LDK-ja e proklamon se është parti institucionale e s’do të duhej të shfrytëzonte situatën për të rritur kërkesat në maksimum për të pamundësuar marrëveshjen potenciale”, ka thënë tutje ai.