24 vjet nga eksodi në Bllacë

Një pjesë e trishtë e historisë së popullit të Kosovës u shkrua 24 vjet më parë kur shqiptarët u dëbuan me dhunë nga shtëpitë e tyre nga regjimi serb në krye me Sllobodan Millosheviqin. Bllaca, pikë kufitare mes Kosovës dhe Maqedonisë, ishte bërë sinonim i vuajtjes dhe spastrimit etnik që Serbia po bënte në Kosovë.

Sot ky vend është dëshmi e historisë nëpër të cilën kaluan shqiptarët e Kosovës. Atje sot u mbajt manifestim që përkujton eksodin e vitit 1999.

Vendkalimi i quajtur Bllacë, vija kufitare që ndan Kosovën me Maqedoninë e Veriut, nuk do të ishte edhe aq i njohur sikur 24 vjet më parë të mos ndodhte eksodi i shqiptarëve të cilët u dëbuan dhunshëm nga regjimi serb i Slobodan Millosheviqit që synim kishte spastrimin etnik të Kosovës nga shqiptarët.

Aty qëndron njëri nga trenat i cili do t’i ruajë gjatë kujtimet e trishta të mbi gjysmë milioni shqiptarëve që dhunshëm u dëbuan dhe lanë shtëpitë e tyre. Për destinacion pa dëshirën e tyre, kishin tokën dhe qiellin e hapur në Bllacë.

24 vjet pas, për të kujtuar atë ditë në këtë vend u kthye edhe Sherife Luta, fotografia e së cilës u bë simbol i eksodit të shqiptarëve në vitin 1999.

“Kameramani boshnjak fotografojke, duke e parë ku ishte gjendja më e rëndë. në atë moment ka tentu me më ndalë me fol, por unë s’kam mujtë sepse kam qenë në gjendje shumë të rëndë, me vajzën shumë të lodhur dhe duke ecur pa ndërprerë. Dhe s’ kam mundur as të flas. Sot ndihem krenare se kjo foto ka mbet simbol. Tregon çka ka vuajtur populli shqiptar në vitin 99. Sepse me dhunë forcat serbe na kanë larguar nga shtëpia”, thotë Sherife Luta, gruaja me foton e fëmijës në gji.

Me shumë emocion për atë ditë flet edhe një dëshmitare tjetër e këtij eksodi e cila pasi kishte arritur në Bllacë, i kishin treguar se babai i saj kishte rënë dëshmor.

Në shënimin e 24 vjetorit Bllaca 1999, fotografi, Asllan Krasniqi autor i 1 mijë fotografive të luftës së fundit në Kosovës, ka hapur një ekspozitë me 24 fotografi të “Eksodit 99” në Bllacë, Stenkoc dhe Çegran.

“Të gjitha kampet ku kam qenë ka pasë raste të veçanta, të rënda, që unë i kam përjetuar keq, shumë keq. Unë po kthehem, unë jam kthyer, jam në kufi atje ku i kam fotografuar, aty jam. Jam me ju por aty jam”, tha Asllan Krasniqi, fotograf.

Aty erdhi edhe Ramush Haradinaj i AAK-së.

“Kjo zhvendosje nuk ka qenë aq e thjeshtë, këtu janë mbajt me ditë e javë të tëra, burra, gra, fëmijë e pleq. Siç e dimë janë mbi 1 milionë e gjysmë qytetarë të zhvendosur. Në këtë memorial i gjen të freskëta thëniet e udhëheqësve më të njohur botërorë si: Bill Clinton, të zonjës Albright, Tony Blair”, ka thënë Haradinaj.

Me këtë rast, Shoqata për Kthimin e Shqiptareve të Shpërngulur nga Trojet e Veta ka ndarë çmimin “Hasan Prishtina” për 24 komuna, bashkësi lokale, shoqata humanitare, organizata joqeveritare e mediume nga Republika e Maqedonisë së Veriut, që kanë ndihmuar refugjatët kosovarë gjatë kohës së luftës të vitit 1998-99./Rtk