3 prokurori nisin hetimet për tërmetin (video)

0
46

Tre prokurori, ajo e Tiranës, Durrësit dhe e Krujës, kanë nisur hetimet në lidhje me pasojat e tërmetit, ku humbën jetën 51 persona, u shembën dhjetra godina dhe qindra të tjera u dëmtuan.

Tre janë veprat penale që po hetohen: Shpërdorim detyre, ndërtim i paligjshëm dhe dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm.

Prokuroritë do të verifikojnë të gjitha lejet e ndërtimit që janë dhënë. Do të konstatohet në terren nëse ato janë respektuar nga ndërtuesit, projektuesit dhe inxhinierët.

Prokuroria e Krujës ka urdhëruar sekuestrimin menjëherë në cilësinë e provës, çdo dokumentacion lidhur me këto ndërtime.

Kjo prokurori dhe ajo e Durrësit thonë se ka dyshime se, pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje, moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues, personave pergjegjës, mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nepunësit shtetërorë.

Fillimisht hetimet do të fokusohen te pallatet dhe godinat që u shembën, të cilët morën jetën e njerëzve. Oficerët e policisë gjyqësore kanë marrë mostrat e ndërtimit të këtyre godinave, si, fijet e hekurit, copa të ndryshme të betonit e të tjerë elemente që ndihmojnë hetimet. Ato do të analizohen për të dalë në konkluzionin nëse ndërtimi është bërë në bazë të rregullave të parashikuara.

Prokuroria e Tiranës thotë se hetimi ka si objekt sqarimin e rrethanave konkrete, që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve.

Organi i akuzës së kryeqytetit i kërkon informacion Bashkisë për banesat e prekura nga tërmeti dhe të klasifikuara jo në kushtet e duhura për banim. I njëjti informacion i është kërkuar dhe strukturave të tjera shtetërore.

Tv Klan