6 mijë shqiptarëve në Serbi iu mohua e drejta për të votuar

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj moslejimit të shqiptarëve në Serbi për të votuar.

Përmes një postimi në Twitter, Osmani ka thënë se 6 mijë shqiptarë nuk janë lejuar që të votojnë në Serbi.

Kjo sipas presidentes, është fushatë e qëllimshme e Serbisë ndaj shqiptarëve atje.

Ajo tutje ka kërkuar reagim edhe nga komuniteti ndërkombëtar.

“Sipas raportimeve, 6.000 shqiptarëve në Serbi iu mohua e drejta e tyre themelore për të votuar për shkak të fushatës së qëllimshme pasivizuese të Serbisë për spastrim etnik përmes mjeteve administrative. Komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë fytyrën e vërtetë të autoritarizmit të Serbisë”, shkroi Osmani në Twitter.

Lidhur me këtë, gjatë ditës së sotme ka reaguar edhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Viola von Cramon.

Von Cramon u përgjigj kështu ndaj ankesës së Teuta Fazliut, e cila ka bërë të ditur në Twitter se nuk ka mund të votojë pasi është fshirë nga lista e votuesve ndonëse është nga Bujanovci.

“Ju lutemi sigurohuni që këto raste të mbulohen mjaftueshëm në raportin paraprak të Misionit Vëzhgues Zgjedhor, por veçanërisht në Deklaratën e PE-së”, ka shkruar Von Cramon.