A do të humbë Kosova miliona të tjerë në Arbitrazh?

Kosova mund ta shohë vetën edhe njëherë në Arbitrazh – vendin ku ka humbur miliona euro deri më sot. Edhe kjo, si herëve të tjera, mund të ndodhë me një partner të kontraktuar. Bëhet fjalë për kontratën për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup me kompaninë Bechtel & Enka, e cila kërkon nga Ministria e Infrastrukturës t’i paguhen 63 milionë euro më shumë.

Nëse palët nuk merren vesh në ndonjë pikë, parashihet edhe shkuarja në Arbitrazh, thonë edhe nga Ministria përkatëse, të cilët megjithatë kanë shpresë që çështjes në fjalë do t’i gjendet zgjidhja më pak e kushtueshme.

Për shkak të zgjatjes së kohës për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”, Ministria e Infrastrkutures dhe kompania Bechtel&Enka në vitin 2016 ishin pajtuar për një kosto shtesë, që sipas ish-ministrit Lufti Zharku ka qenë 14.8 milionë euro. Mirëpo, udhëheqja aktuale e këtij dikasteri ka bërë të ditur muaj më parë se te dera i ka ardhur kërkesa e Bechtelit për jo më pak se 63 milionë euro shtesë.

Gazeta Express ka pyetur sot këshilltarin ligjor të ministrit Pal Lekaj nëse Bechtel&Enka po i kërkon 63 milionë eurot medoemos dhe nëse Ministria është e “kërcënuar” që, në rast të mospagesës, Kosova do të përballet me partnerin në Gjykatën Arbitrare.

Eset Berisha, këshilltar i Lekajt, ka thënë për Express se shkuarja në Arbitrazh është pjesë e kontratës, nëse palët nuk pajtohen në ndonjë nga pikat, kështu që epilogu i supozuar është edhe i mundshëm.

Ndërkaq, nga Bechtel&Enka thonë se do t’i referohen ‘institucioneve përkatëse’, ashtu siç parasheh kontrata.

“Marrëdhënia Kontraktuare e Bechtel Enka JV është institucionale dhe si e tillë i referohemi institucioneve përkatëse. Çdo element i kontratës esht konform legjislacionit ne fuqi”, i është përgjigjur Gazetës Express zëdhënsja e Bechtel&Enka-s, Ela Ruci.

Përderisa Bechtel&Enka i kërkon paratë, Berisha thotë se kompania nuk ka dërguar kërkesë zyrtare, po vetëm paralajmërim.

“Nuk e kanë përmendur punën e Arbitrazhit e as nuk kanë dërguar kërkesë zyrtare. Krejt çka kanë dorëzuar është një paralajmërim i kërkesës që e kanë bërë në 2016-ën dhe 2017-ën. Nuk kanë dërguar kërkesën zyrtare me të cilën ne duhet t’u kthejmë atyre përgjigje që pas kësaj të shkohet në Arbitrazh”, ka thënë këshilltari ligjor i ministrit Pal Lekaj.

Meqë asgjë s’është definitive, Berisha thotë se gjithçka është akoma e diskutueshme. Kështu , ai tregon se ministri Lekaj do të bëjë përpjekje që dëmi lidhur me këtë çështje të jetë sa më i vogël.

Lekaj, lidhur me kontratën, pati probleme me anëtarë të Komisionit parlamentar për Zhvillimi Ekonomik, të cilët po i kërkojnë që kontrata të bëhet publike në mënyrë që të kuptohet qartë pse duhet dhënë 63 milionë euro.

Anëtarja e këtij komisioni, Mimoza Kusari, ka treguar se ministri Lekaj dje ka raportuar në Komision se ka nënshkruar një amendament të kontratës për t’i shpëtuar Arbitrazhit, por sipas saj, Kosova nuk ka pse të shkojë në Arbitrazh e as pse t’ia paguaj Bechtel-it 63 milionët.

“63 milionë janë pretendime të kompanisë dhe nuk janë penallti sikur i quan ministri. Nuk ka arsye te paguhen dhe as te konsiderohen për pagese”, ka thënë Kusari për Gazetën Express.

Sipas Kusarit, për këtë proces dhe për menaxhim të mirëfilltë të kësaj kontrate e cila tash ka kaluar neper tri kabinete qeveritare prej nënshkrimit të saj në korrik te 2014-ës, duhet një ekip i specializuar dhe mbarëqeveritar.

Komisioni parlamentar i kërkoi publikimin e kontratës, por këtë dëshirë nuk po ia plotëson ministri, i cili po thotë se është një nën në kontratë, të cilin palët nuk e publikjojnë.

Kusari thotë se meqenëse ministri po refuzon publikimin e kontrates, deputetëve u ka mbetur që t’i drejtohen gjykatës për të kërkuar të drejtën për t’u publikuar ajo.

“Tani na ka mbetur deputeteve t’i drejtohemi Gjykates për të kërkuar të drejtën në publikim te kontratës”, ka thënë Kusari. /Express/