90 për qind e kabineteve në FSHMN, jofunksionale qe gati dy javë

Departamenti i Matematikës dhe ai i Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore (FSHMN) tashmë gati dy javë janë jashtë funksionit për shkak të dëmeve që kanë sjellë reshjet e shiut. E për 8 ditë në këtë fakultet si pasojë e reshjeve nuk ka pasur as energji elektrike.

Tahir Arbneshi, dekan i FSHMN-së, ka thënë për “Zërin” se dëmet e shkaktuara nga reshjet e shiut në këtë fakultet janë shumë të mëdha. Ai ka thënë se bashkë me stafin kanë ndërmarrë të gjitha masat, të cilat kanë qenë brenda kompetencave të tyre.

“Dëmet e shkretuara nga depërtimi i reshjeve të shiut janë relativisht të mëdha, si në inventar, ashtu edhe në hapësirat punuese. Komplet kati i fundit, ku ndodhet Departamenti i Matematikës dhe ai i Gjeografisë (ana nga rruga “Eqrem Çabej”) ka dalë jashtë funksionit, sallat e mësimit, kabinetet dhe laboratorët janë të papërdorshëm. Stafi e ka të pamundur të zhvillojë aktivitetet normale në hapësirat e departamenteve të sipërpërmendura”, ka thënë ai.