A do ta arrestonte deputetin Behgjet Pacolli nëse do t’i kërkohej, tregon Rashit Qalaj

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj nuk i ka komentuar deklaratat e ditëve të fundit rreth shkarkimit të tij nga kjo pozitë.

Qalaj ka thënë se Policia e Kosovës, është duke punuar me tërë kapacitetet ekzistuese dhe se vlerësimi i punës së tij i përket hierarkisë dhe është i rregulluar me ligj.

“Policia e Kosovës ta kryejmë punën tonë sa më mirë që është e mundur dhe mendoj që ja kemi arritur së bashku me grupin tim menaxhues dhe po ashtu me të gjithë komandantët e stacioneve dhe eprorët e tjerë, gjithmonë duke iu falënderuar policëve dhe policeve të cilët janë angazhuar dhe kanë dhënë një kontribut të madh që ta kemi situatën nën kontroll sa i përket pandemisë. Çështja e vlerësimit të punës së drejtorit të Policisë, është çështje e hierarkisë e rregulluar në bazë të ligjit. Unë nuk dua t’i komentojë ato deklarata mirëpo unë duhet të sigurohem që organizata është duke punuar në mënyrën më të mirë të mundshme me ato kapacitete që i kemi”, tha Qalaj.

I pyetur nëse do ta arrestonte deputetin Behgjet Pacolli nëse do t’i kërkohej nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ai ka thënë se Policia vepron në bazë të ligjit dhe në asnjë mënyrë tjetër.

“Unë jam drejtor i Policisë dhe drejtori i Policisë dhe policia e Kosovës vepron në bazë të ligjit të Policisë. Unë nuk dua një asnjë moment të komentojë deklaratat e spektrit politik, pavarësisht se kush janë dhe nga cila pozitë vijnë. Mirëpo Policia e Kosovës vepron vetëm ne bazë të ligjit dhe në asnjë mënyrë tjetër”, tha Qalaj për Ekonomia Online.

Ai ka thënë se politika nuk është përzier në detyrat e Policisë dhe se ka bashkëpunim shumë të mirë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme e Qeverinë.

“Ne si Polici e Kosovës kemi një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha institucionet e vendit por kësaj radhe ka qenë bashkëpunimi shumë i mirë meqenëse natyra e sëmundjes ka qenë e tillë, sidomos me MSH-në dhe IKShP mirëpo edhe me qendrën spitalore. Jemi të lumtur me një bashkëpunim të shkëlqyeshëm. po ashtu kemi pasur një bashkëpunim të shkëlqyeshëm edhe me të gjitha institucionet e tjera Autoriteti i Konkurrencës, Administrata Tatimore, pastaj FSK. Mund të them se kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me MPB-në dhe Qeverinë dhe mund të them se në asnjë moment askush nuk ka tentuar të përzihet në punët e Policisë së Kosovës”, shtoi ai.

Qalaj në këtë intervistë për Ekonomia Online, ka folur për menaxhimin e situatës së pandemisë së Coronavirusit nga Policia.

“Pandemia është ende sfidë. Është krijuar përshtypja që popullata nuk është më e rrezikuar tash. Unë mendoj se nuk është fakt ajo por ne duhet të jemi të kujdesshëm si në ditën e parë kur ka filluar pandemia. Policia e Kosovës ka qenë e angazhuar me të gjitha kapacitetet që i ka me nivelin e menaxhimit në të gjitha nivelet dje konsideroj që Policia e Kosovës ka arritur shumë mirë ta menaxhojë situatën, gjithmonë duke iu falënderuar popullit të Kosovës të cilët kanë qenë shumë të disiplinuar dhe të cilët në vazhdimësi kanë respektuar vendimet e qeverisë, MSH dhe thirrjet e institucioneve që sa më pak njerëz të jenë të infektuar”, tha Qalaj.

Ai ka thënë se pandemia i ka zënë të papërgatitur në aspektin logjistik.

“Normalisht që sikurse të gjitha institucionet e tjera në vend, rajon por edhe botë kjo situatë fillimisht na ka zënë të papërgatitur në aspektin logjistik. Mirëpo me mbështetjen e MSh me donacione të shumta, Policia e Kosovës tash është mjaft e përgatitur sa i përket aspektit logjistik dhe e kemi një përvojë të re, derisa ky virus të zhduket nga vendi ynë” tha ai.

Qalaj: Kemi pasur 11 policë të infektuar, katër të shëruar dhe 7 të tjerë po trajtohen

Drejtori Qalaj ka treguar se nga koronavirusi janë prekur 11 pjesëtarë të Policisë së Kosovës, katër prej të cilëve janë shëruar kurse 7 të tjerë janë në proces të shërimit.

“Ne kemi qenë të angazhuar me kapacitet të plotë duke përjashtuar një numër të kolegëve të cilët lëngojnë nga sëmundjet serioze dhe po ashtu të cilët i kemi liruar nga detyra dhe një numër të kolegëve që kanë pasur sëmundje të lehta. po ashtu kemi liruar nga detyra pjesëtarët tanë të stafit civil. gjatë këtyre kontakteve fatmirësisht kemi pasur një numër mjaft të vogël të kolegëve të infektuar numri i përgjithshëm ka qenë 11, katër janë shëruar dhe shtatë janë në proces të shërimit. Ndërsa kemi pasur një numër të madh të kolegëve tanë të cilët janë detyruar të vetizolohen, që kanë qenë në trajnime jashtë shtetit. Shumica prej tyre për skkak të kontakteve janë detyruar ta mbrojnë veten, kolegun e familjen të hyjnë në vetizolim”, shtoi ai.

Gjatë pandemisë janë ndaluar 2 187 persona për moszbatim të masave

Ai ka folur edhe për shkelësit e vendimit për kufizimin e lëvizjes. Sipas tij gjatë kësaj kohe për moszbatim të rregullave janë ndaluar 2 mijë e 187 persona.

“Realisht në masë të madhe masat nga MSh dhe kufizimi i lëvizjes janë respektuar nga popullata e Kosovës. Unë i falënderoj edhe një herë meqë na kanë ndihmuar institucionet. Besoj që më së shumti i kanë ndihmuar vetes dhe familjes së tyre. Jemi shumë me fat që përkundër angazhimit të madh të institucioneve të të gjitha niveleve jemi me fat që numri i të infektuarve është i kontrolluar edhe pse nuk do të donim ta kishim asnjë të infektuar por duke e pasur parasysh ekonominë e vendit, të shëndetësisë edhe nivelin e sigurisë situatën e kemi pasur në kontroll. Mirëpo fatkeqësisht kemi pasur raste kur nuk i kanë respektuar këto masa. Kemi pasur raste që t’i hasim gjatë natës duke luajtur bixhoz ose duke pirë pije të ndryshme dhe e dimë që lokalet e hotelerisë kanë qenë të ndaluar. Ne jemi detyruar që të marrim masa dhe mund të them që numri i rasteve në nivel vendi ka qenë 1 282 raste, prej tyre kanë qenë të përfshirë 2 187 persona”, tha ai.

Prej tyre sipas drejtorit, të ndaluar për 48 orë kanë qenë 198, ndërsa 1 989 kanë shkuar në procedurë të rregullt.

“Ne kemi bashkëpunuar shumë mirë sidomos me inspektorët sanitarë meqenëse ata janë të obliguar në bazë të ligjit mbi parandalimin e përhapjes së sëmundjeve ngjitëse që të merren me raste ndëshkimore. mirëpo në raste të tilla kur kemi hasur qytetarë të cilët kanë qenë në lokale të ndryshme dhe ato lokale me urdhër të MSh-së kanë qenë të ndaluara që punojnë ne është dashur t’i shoqërojmë në stacione policore dhe gjithmonë jemi thirrur në Ligjin mbi Parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse dhe prapë po e përsërisë kanë qenë disa individë ndërsa në tërësi popullata i ka respektuar mirë”, tha Qalaj për EO.