A do të ketë koalicion LDK-AAK-NISMA? Flet nënkryetarja e VV-së

Gjatë ditës së djeshme, zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) deklaruan se në rast se nuk arrihet marrëveshja finale me Lëvizjen Vetëvendosje (VV), LDK do të jetë e hapur edhe për subjektet tjera politike, si Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate.

Nënkryetarja e VV-së, Arbërie Nagavci ka komentuar deklaratat e zyrtarëve të LDK-së, në lidhje mundësitë për subjektet tjera politike në rast se me VV-në nuk arrihet marrëveshja.

Ajo tha se VV nuk i kushton rëndësi deklaratave individuale të zyrtarëve të LDK-së.

“Nuk i kam përcjell deklaratat e LDK-së, por sido që të jetë qëndrimet individuale mund të jenë të ndryshme, për ne si VV është i rëndësishëm qëndrimi zyrtar i LDK-së, pra qëndrimet personale të individëve nuk janë të rëndësishme”, tha ajo.

Nagavci tha se pret që së shpejti këto dy parti politike të zhvillojnë një takim për marrëveshjen e bashkëqeverisjes, ajo shpreson që një gjë e tillë të ndodhë sa më shpejtë në mënyrë që të jenë mirë me gjitha afatet kushtetuese.

“Besoj se meqenëse koha tani më është e kufizuar edhe ne edhe LDK në bazë të deklaratave që kemi bërë, besoj se edhe ata do të angazhohen maksimalisht në një marrëveshje brenda afatit kushtetues”, tha Nagavci.

Ajo tha se ende nuk është caktuar një ditë për takimin Albin Kurti-Isa Mustafa.

“Unë nuk jam pjesë e grupit punues, por me sa di unë nuk kemi aranzhuar ndonjë takim së afërmi, ose të paktën nuk kam ndonjë njohuri për takimin”, shtoi Nagavci për GazetaBlic.