A do të ndodh takimi i 9 ndërmjet Kurtit e Mustafës, flasin nga VV-ja

Tetë takime ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa kanë përfunduar pa asnjë rezultat.

Marrëveshje ende nuk ka ndërmjet këtyre dy subjekteve politike për të qeverisur vendin.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzur ofertën e fundit të VV që në këmbim të Kryetarit të Kuvendit, LDK t’i jepet një ministri shtesë ( 6 ministri LDK 4 VV)

Anëtari i Kryesisë së LDK Avdullah Hoti të hënën në një postim në Facebook ka shkruar se i takon partisë fituese që të gjej formulën për lidhjen e koalicionit, përderisa ka shtuar se gjithashtu i takon partisë së Albin Kurtit që të thërras takimin e radhës.

Gazeta Blic ka folur me zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë thënë se deri në këto momente nuk është paraparë një takim ndërmjet Albin Kurtit e Isa Mustafës.

“Deri tash kur po flasim nuk ka në agjendë për takim ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvëndosje Albin Kurti dhe kryetarit të LDK Isa Mustsfa”, ka thënë Arlind Manxhuka.

Ndërkohë Gazeta Blic ka mësuar nga burime të saja se janë pikërisht zyrtarë të lartë të VV që presin një takim të organeve drejtuese të LDK për të vendosur për ofertën e VV.

“ Ka qenë e paralajmëruar gjatë vikendit se këtë fillim javë do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm i LDK për të vendosur për ofertën e VV ( një ministri shtesë) në këmbim të postit të kryekuvendarit, por me gjasë ata as sot nuk do të mblidhen”, ka thënë burimi i gazetës.

Ndërkohë deputetja e VV Albulena HAxhiu ka thënë se, Lidhja Demokratike e Kosovës po dëshiron që situata e negociatave mes dy partive për formimin e qeverisë të kthehet në periudhën kur flitej që LDK-së do t’i takonte pozita e Kryeparlamentarit.

Haxhiu ka thënë se megjithatë zgjedhja e 26 dhjetorit e Glauk Konjufcës të VV-së kryeparlamentar është çështje e pakthyeshme për partinë e saj.

“E dini se qysh një ditë pas zgjedhjeve ka pas insistime të VV-së për të arritur koalicionin me LDK-në. Edhe përkundër vullnetit tonë, fatkeqësisht s’kemi ende marrëveshje me LDK-në. Jemi lëshuar fillimisht në aspektin programor dhe kemi arritur të përfshijmë 50 për qind të programit të LDK-së. Kemi mbyllur të gjitha çështjet në arsim, shëndetësi, drejtësi e prioritete të tjera. Kur jemi lëshuar në nivelin e ndarjes së përgjegjësive, kemi hasur në rezistencë. Kemi pasur takime ditëve të fundit. Kemi pasur shumë takime sepse kemi pasur mospajtime. S’mund të them me garancë se marrëveshja VV-LDK do të ndodhë me siguri sepse s’varet vetëm prej nesh. Negociatat kanë ngecur te kërkesa e LDK-së për kthim të para datës 26 dhjetor, kthesë e vendimit të deputetëve për kryeparlamentarin që është e papranueshme për ne. U kemi bërë një ofertë e po presim përgjigjen”, ka thënë ajo.

Anëtari i Kryesisë së LDK Avdullah Hoti ka thënë se në takimin e fundit, LDK e ka dhënë ofertën e saj për bashkëqeverisje dhe se tani gjithçka është në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje.Ai ka shtuar se takimi i ardhshëm mund të bëhet nëse partia që ka dalë e para ofron zgjidhje për marrëveshje.

“Ne jemi të interesuar për takim, por vetëm për takim për marrëveshje, e jo për vetëm sa për tu takuar”.

Postimi i plotë:

“Në të gjitha takimet e mbajtura deri më tani me Lëvizjen Vetëvendosje, ne kemi shprehur gatishmërinë tonë për bashkëqeverisje duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur më 6 tetor 2019.
Vetëm një marrëveshje që reflekton këtë vullnet është e pranueshme për LDK-në dhe siguron stabilitet për Qeverinë për të kryer mandatin e plotë, që është tepër e nevojshme për të kryer reformat e nevojshme për zhvillim ekonomik e social dhe integrim evropian.

Fatkeqësisht, deri më tani nuk është arritur një marrëveshje e tillë.Pavarësisht mos arritjes së marrëveshjes, në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës më 26 dhjetor 2019, e kemi bërë të qartë se LDK angazhohet për themelimin e institucioneve të reja sa më shpejtë.

“Është në dorën e partisë që ka dalë e para në zgjedhje të gjejë mënyrën për themelimin e institucioneve të reja.Në takimin e fundit ne kemi dhënë ofertën tonë për bashkëqeverisje. Dhe tani gjithçka është në dorën e Lëvizjes Vetëvendosje.Takimi i ardhshëm mund të bëhet nëse partia që ka dalë e para ofron zgjidhje për marrëveshje. Ne jemi të interesuar për takim, por vetëm për takim për marrëveshje, e jo për vetëm sa për tu takuar”.