A do të qëndrojnë partitë e PAN-it në sallë kur të votohet Qeveria e re?

Teksa Kurti e Mustafa ende nuk po munden të gjejnë gjuhën e përbashkët për koalicionin edhe në partitë që do të jenë opozitë e qeverisë së re ka paqartësi. Zyrtarë të PDK, AAK dhe NISMA thonë se ende nuk kanë vendosur se a do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit kur të votohet Qeveria, shkruan Gazeta Express.

Të enjten për në ora 15:00 është caktuar që të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e thirrur nga presidenti Hashim Thaçi, brenda afatit ligjor prej 30 ditësh, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Edhe pse kur do të mblidhen deputetët e rinj kanë mbetur dy ditë, partitë që kanë paralajmëruar koalicionin, LDK e VV ende nuk kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje.

Sidoqoftë, për sa kohë që ishin në opozitë, Lidhja Demokratike e Kosovës e Lëvizja Vetëvendosje funksionuan bukur mirë kundër PAN’it, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj në qeveri.

Tash, pas zgjedhjeve të gjashtë tetorit, kur kanë ndryshuar rrënjësisht partitë që janë më afër pushtetit, PAN me gjasë do t’i hakmerret dy partive që dolën si më të votuarat nga zgjedhjet, duke ia bojkotuar seancën kur do të votohet Albin Kurti për kryeministër.

Një burim nga Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar për Gazetën Express se një vendim për këtë temë do ta marrin në mbledhjen e partisë, që do të mbahet një ditë para seancës.

Zyrtarisht kreu i kësaj partie ka kritikuar vonimin e krijimit të institucioneve, derisa, tha se partia e tij do të qëndrojë në një mandat në opozitë, e do të bëhen zëri i qytetarëve.

Në partinë e udhëhequr nga Ramush Haradinaj në anën tjetër thonë se ende nuk kanë vendosur nëse do të qëndrojnë kur të votohet Kurti, apo se si do të votojnë.

Deputetja Time Kadrijaj ka konfirmuar për Express se një ditë para seancës do të mbahet një mbledhje e grupit parlamentar të Aleancës, për të vendosur se çfarë qëndrimi do të kenë.

“Zakonisht takimet e grupit parlamentar mbahen një ditë para seance, në atë takim vendoset se qysh do të veprojmë”, ka thënë ajo.

Njëjtë kanë deklaruar edhe në partinë e udhëhequr nga Fatmir Limaj. Në Nismën Socialdemokrate bërë të ditur për Express se nuk kanë ende vendim se a do të qëndrojnë në Kuvend kur të votohet për qeverinë e re.

Ky burim brenda kryesisë, ka thënë se një ditë para seancës do të mblidhet kryesia e partisë, derisa, aty do të merret vendim për këtë temë.

“Momentalisht nuk kemi qëndrim a do të qëndrojmë në seancë apo jo, por, që ne do të takohemi, po mendojmë me e thirr mbledhjen e kryesisë me datën 25 në mbrëmje, dhe aty do të marrim vendim”, është bërë e ditur

Deri më tani, Kurti dhe Mustafa kanë siguruar votat e nevojshme që ju duhen për të votuar qeverinë e re.

Sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës, në rend dite në mbledhjen konstituive të legjislaturës, duhet të përfshihet formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit, të mandatave, pastaj bëhet zgjedhja e kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve të Kuvendit.

Kryesimi i mbledhjes konstituive të legjislaturës i udhëheq deputeti më i vjetër, i ndihmuar nga deputeti më i ri i zgjedhur. Kësaj radhe seanca do të udhëhiqet nga deputeti i VV’së, Jahja Kokaj si dhe deputetja tjetër e kësaj partie, Fjolla Ujkani.

Kryesuesi kërkon nga një përfaqësues që të caktohet nga partitë politike në Kuvend për të bërë verifikimin e kuorumit dhe të mandateve.

Komisioni i përkohshëm e shqyrton dokumentacionin përkatës të zgjedhjeve, ia paraqet Kuvendit raportin për vlefshmërinë e mandateve të deputetëve të Kuvendit dhe e verifikon kuorumin në mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit.

Pas verifikimit të mandateve, deputetët betohen, derisa deklaratën e betimit e lexon kryesuesi i mbledhjes.

Në mbledhjen konstituive të Legjislaturës, Kuvendi nga radhët e veta i zgjedh Kryetarin dhe nënkryetarët. Kryetari dhe nënkryetarët e përbejnë Kryesinë e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar, por, që sipas marrëveshjes VV – LDK nga detajet që janë zbuluar deri më tani, kjo pozitë do t’i takojë partisë së Isa Mustafës.

“Kryesuesi i mbledhjes konstituive të legjislaturës kërkon nga tri grupet më të mëdha parlamentare ta propozojnë nga një kandidat për nënkryetarë të Kuvendit, të cilët zgjidhen me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit. Në përbërje të Kryesisë dhe në trupat e tjerë të punës të Kuvendit respektohet përbërja gjinore e Kuvendit. Kryesuesi i mbledhjes konstituive të legjislaturës kërkon nga deputetët që mbajnë vende të garantuara për komunitetin serb dhe nga deputetët, që mbajnë vende të garantuara për komunitetet e tjera, që nuk janë shumicë, ta propozojnë nga një kandidat për nënkryetar të Kuvendit. Nënkryetarët, sipas kësaj pike, zgjidhen me shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit.Kryesuesi i mbledhjes konstituive të legjislaturës e shpall rezultatin e votimit për zgjedhjen e Kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit. Kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit e fton ta zërë vendin e tij”, bëhet e ditur në rregulloren e Kuvendit.

Në mbledhjen e zhvilluar nga kryesia në detyrë e Kuvendit, janë përcaktuar edhe ulëset për grupet parlamentare, ku sipas rregullores dhe praktikës së deritanishme, grupi më i madh parlamentar (VV) do të ulet në qendër, grupi i dytë me radhë (LDK) në anën e djathtë të kryesuesit të seancës, ndërsa grupi i tretë (PDK) në anën e majtë të kryesuesit.