A do të takohen sot Thaçi dhe Mustafa?

Ende nuk dihet saktësisht nëse sot gjatë ditës presidenti Hashim Thaçi do ta presë në takim liderin e LDK-së Isa Mustafën, për të vendosur përfundimisht për qeverinë e re të Republikës.

Ardian Arifaj, këshilltari i presidentit, i ka thënë “Insajderit” se ende nuk kanë vendosur për këtë takim.

“Deri tash nuk ka diçka konkrete, po e pres presidentin që ta takojë dhe pastaj do të vendosim”.

Për një takim të mundshëm mes dyshesh Thaçi – Mustafa këtë mëngjes nuk dinë as në LDK.

Deputeti i kësaj partie, Arben Gashi, i ka thënë “Insajderit” se “nuk e di” nëse presidenti dhe i pari i LDK-së do të takohen sot.

Informata për këtë çështje nuk ka as nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova. Kështu i ka thënë ai përmes telefonit “Insajderit”.

Ndonëse takimi nuk është konfirmuar, ai pritet të ndodhë shumë shpejt, meqë presidenti as pas letrës së katërt të drejtuar kryeministrit të shkarkuar Albini Kurtit nuk e ka marrë emrin e mandatarit.

Në anën tjetër, LDK-ja duket se tashmë e ka emrin e mandatarit të ardhshëm. Madje oragani më i lartë i kësaj partie, Këshilli i Përgjithshëm, ka aprovuar një koalicion të mundshëm LDK – AAK – Nisma, të cilin pretendohet se do ta udhëheqë Isa Mustafa.

Ndryshe, Thaçi javën e kaluar ka paralajmëruar hapa finalë për formimin e qeverisë, duke dhënë sinjale që do ta anashkalojë Vetëvendosjen.