Veseli: Në PDK nuk do të kenë vend ata që mendojnë vetëm për përfitime

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli beson se fundi i vitit do t’i gjejë qytetarët e Kosovës me liberalizim të vizave, si gjithë qytetarët e tjerë të vendeve të evropiane.

Kreu i Kuvendit dhe PDK-së, shprehet optimist se deri në fund të vitit do të kenë edhe vendimmarrje të përfunduar për krijimin e ushtrisë së Kosovës.
“Unë besoj se fundi i këtij viti do të na gjejë me liberalizim të vizave për qytetarët tanë, fundi i këtij viti do të na gjejë në një proces shumë më përpara drejt vendit kandidat në BE, fundi i këtij viti do të na gjejë me një vendimmarrje ndoshta edhe të përfunduar për ushtrinë e Kosovës, fundi i këtij viti do të na gjejë me hapat që janë marrë në reformat ekonomike dhe juridike që vendi jonë, qytetarët tanë të gjejnë përspektiva për të jetuar e jo të gjejnë alternativa në vendet e huaja”, tha Veseli.
Kreu i Kuvendit thotë se do të punojnë që të kenë konsensus në këto tema, sikurse kishin për demarkacionin të cilin e kaluan më 21 mars. Veseli vlerëson se aktualisht Kuvendi i Kosovës është ringjallur në punën e tij, meqë fillimin e kësaj legjislature e kishte nisur bukur plogësht.
Sipas Veselit, vetëm në periudhën 25 janar 31 mars kanë kaluar 22 projektligje.  Ai thotë se ka vite që në qoftë se i bëjnë bashkë të gjitha nuk kanë kaluar pak më shumë ligje sesa kanë kaluar vetëm për këtë kohën dy mujore.
Veseli ka folur edhe për zgjedhjen e brendshme në partinë e tij, PDK-në, të cilat tashmë kanë nisur me kampanjën “Dekada e Re”. Kreu i PDK-së, ka shpjeguar se çfarë do të thotë kjo moto me të cilën tashmë ka nisur takimet me të rinjtë e kësaj partie dhe përfundimin me zgjedhhjet e brendshme.
Veseli thtotë se Kosova me PDK-në ka ndryshuar rrënjësisht që nga viti 2007 kur kjo parti është në pushtet. Ai ka përmendur ndryshimin rrënjësor në infrastrukturën rrugore, atë shkollore, shëndetësore, në arsim e fusha tjera. Ani pse, sipas tij, ka pasur defekte, mangësi e deformime gjatë kësaj periudhe dhe ato i pranojnë.
Derisa, ka përmendur edhe sfidën e integrimit në BE, NATO e struktura tjera euro-atlanetike.
Veseli ka premtuar edhe reforma të thella brenda partisë që ai drejton, pse nuk do të ketë njerëz në PDK që mendojnë vetëm për përfitimin e vet.
“Edhe brenda partisë reforma, jo njerëz që mendojnë që të përfitojnë, jo njerëz që mendojnë se ja ka dhënë e drejta e Zotit se ata mund të bëjnë çka dojnë, jo, jo, të gjithë të barabartë. Jemi për barbarasi të shancave, jemi për barabarsi të mundësive, kjo do të filloj që brenda Partisë Demokratike të Kosovës dhe në të gjithë Kosovën. Kjo vlerë dhe jam shumë i sigurt se do të jemi të suksesshëm në këtë proces”, ka thënë Veseli.
Sipas tij, “Dekada e Re” do të jetë një projeksion me vlerat nacionale të cilat i ka populli i Kosovës, orientimin burimor i cili është perëndimor, integrim veriatlantik dhe në të njëjtën kohë përgjegjësi më të madhe./KosovaPress/