A e ka përkrahjen e koalicionit kandidatura e Ramush Haradinajt për president? Flasin nga Nisma

Çështja e zgjedhjes së presidentit, është ndër temat më të nxehta të këtyre ditëve në vend.

Derisa AAK-ja ka propozuar kreun e saj Ramush Haradinaj, për të parin e vendit, nga koalicioni qeveritar ende nuk kanë dhënë një përgjigje të prerë se a do ta përkrahin apo jo këtë kandidaturë.

LDK-ja ka kohë që po e kërkon këtë pozitë, ndërsa jo me më pak ambicie janë edhe partitë e tjera, shkruan IndeksOnline.

Endrit Shala nga Nisma Socialdemokrate në një prononcim për Info Magazin, ka thënë se koalicioni ende nuk është dakorduar për një emër të përveçëm.

“Ne si Nismë nuk kemi diskutuar si emra e as koalicioni qeveritarë nuk e ka një emër të përveçëm për një emër që është i pranueshëm për 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, tha Shala.

Ai tha se ndonëse Haradinaj është propozuar nga partia e tij, koalicioni nuk është dakorduar ende për një emër. Madje ajo çka tani është e rëndësishme sipas Shalës, është se përkundër kësaj kandidature, koalicioni qeveritar nuk i ka numrat që i sigurojnë votat e mjaftueshme për të zgjedhur presidentin.

“Ajo çka dihet është se ne si koalicion nuk i kemi votat e mjaftueshme, andaj duhet të gjejmë një emër të pranueshëm nga ana e deputetëve dhe këtë çështje ta zgjedhim sa më shpejtë që është e mundur konform afateve kohore”, nënvizoj Shala.