A është mirë Bilall Sherifi: “Kuvendi nuk ka qenë asnjëherë më produktiv”

Jo rrallëherë kuorumi e ka pamundësuar mbajtjen e seancave të Kuvendit të Kosovës.

Shpesh si pasojë e numrit të vogël të deputetëve në sallë seancat janë shtyrë duke bërë kështu që shumë pika në rend të ditës të barten nga njëra seancë në tjetrën.

Shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, e ka pranuar se Kuvendi ka pasë vështirësi me mbajtjen e seancave.

“Realisht, puna e Kuvendit dhe e deputetëve është publike, transparente dhe të gjithë e shohin. Çfarëdo që unë them nuk mund ta arsyetoj, mbroj ose akuzoj më shumë sesa që akuzohen deputetët për punën e tyre duke përjashtuar Komisionet dhe Grupet Punuese”.

“Në pjesën e seancave është evidente që koalicioni ka vështirësi në grumbullimin e 61 deputetëve për të marrë pjesë në seancë. Dy partitë më të mëdha opozitare [Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosja] edhe pse janë prezente në sallë nuk marrin pjesë në votim për shumë ligje, me përjashtim të disa ligjeve që kanë të bëjnë me marrëveshje ndërkombëtare”.

“Ata nuk marrin pjesë në votim, ndonëse sipas një aktgjykimi kontravers të Gjykatës Kushtetuese që në njërën anë thotë se deputetët janë të detyruar të kryejnë obligimet e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në votim, derisa në anën tjetër thotë që kuorumi nuk është prezenca fizike e deputetëve, por pjesëmarrja në votim”.

Megjithatë, Sherifi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se Kuvendi ka qenë shumë produktiv dhe ka arritur të kalojë shumë ligje.

“Meqë vështirë arrihet që 61 deputetë të marrin pjesë në votim, shumica e pikave të rendit të ditës për muaj të tërë kanë mbetur duke u bartur nga seanca në seancë, por jo se nuk kemi arritur të kalojmë shumë ligje dhe të marrim shumë vendime”.

“Kemi pasë vështirësi çdo javë që t’i mbledhim deputetët, por kemi kaluar një varg ligjesh”.

“Nga këndvështrimi i Gjykatës Kushtetuese, të gjithë deputetët e kanë obligim të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë ‘pro’, ‘kundër’ ose të abstenojnë. Vullneti i tyre është që të përcaktohen se si të votojnë”.

“Në anën tjetër është edhe neni 70 i Kushtetutës që thotë se mandati i deputetit është i lirë. Sipas rregullit, deputeti një herë në gjashtë muaj është i detyruar të marrë pjesë në një seancë dhe kështu mund ta mbajë mandatin e tij deri në fund”.

“Nuk mund të themi që Kuvendi nuk është funksional, por ka vështirësi që të takohet çdo javë, të marrë vendime dhe të kalohen ligje. Janë dhjetëra seanca të jashtëzakonshme që janë mbajtur, shumica të ftuara nga opozita për çështje të ndryshme”.

“Nëse i marrim në total, Kuvendi i Kosovës nuk ka pasë asnjëherë më shumë seanca dhe asnjëherë nuk ka qenë Kuvendi më produktiv nga këndvështrimi i produkteve që ka nxjerrë”.

Ai ka thënë se në parim të gjithë deputetët kanë përgjegjësi për ta mundësuar punën e Kuvendit, por përgjegjësinë kryesore e ka mazhoranca.