A merr Kosova mjete financiare për çdo viktimë nga COVID-19? Kështu përgjigjet Valbon Krasniqi

Në një hulumtim të kryer javë më parë, thuhej se rreth 30 për qind e popullatës së Kosovës nuk besojnë në rrezikun nga COVID-19, e kjo për Valbon Krasniqin është tejet shqetësuese.

Në intervistën për “Zërin”, Krasniqi ka folur edhe për konspiracionet që përmenden shpesh, ku një ndër më të përhapurat është ajo se Kosova përfiton mjete financiare nga BE-ja dhe OBSH-ja për çdo viktimë nga COVID-19.

“Është shumë shqetësuese që gati një e treta e popullatës nuk besojnë se virusi ekziston, tani pothuajse shumë familje kosovare janë prekur nga ky virus e shumë familje kanë humbur anëtarët e tyre nga ky virus, prandaj unë i kisha lutur të gjithë që të largohen nga këto teori konspirative, të marrin informacione të sakta nga burime të sakta dhe burimet janë Ministria e Shëndetësisë, SHSKUK-ja, IKSHPK-ja dhe faqet zyrtare të institucioneve kredibile botërore që merren me këtë çështje”, ka thënë Krasniqi.

Sipas tij është i çuditshme fakti se këto teori konspirative po arrijnë të mbizotërojnë teoritë shkencore duke tejkaluar faktet.

“Unë e kamë thënë disa herë, kushdo që nuk beson se ekziston virusi le të shkojnë në klinikat tona dhe spitalet e përgjithshme, le të shikojë reportazhet që i bëni ju si media në lidhje me këta pacientë, ndërsa sa i përket asaj që shteti përfiton mjete financiare për viktima, është jashtëzakonisht e habitshme, bile as që komentohet një gjë e tillë, për mua është krejtësisht e pabazë dhe shumë e çuditshme”, është shprehur Krasniqi për “Zërin”.