A po tërhiqet Glauk Konjufca? Flasin nga LVV

Sot po shihet si dita vendimtare për formimin e koalicionit LVV-LDK. Sipas shumë raportimeve në media, Glauk Konjufca ka pranuar të tërhiqet nga posti i kryeparlamentarit, por deri më tani nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtarë nga asnjëra parti.

Indeksonline kontaktoi me Zëdhënësin për Media të LVV-së, Erzen Vraniqi i cili u shprehë se ende nuk ka pranuar një informacion të tillë.

“Nuk kam informacion ende, prandaj nuk mund te them asgje.”, u shprehë ai.

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani sot për media ka thënë se përpjekjet për të pasur një marrëveshjes janë më intensive.

“Përpjekjet për arritjen e marrëveshjes janë më intensive se më parë shpresoj të përfundojnë me rezultat të mirë. “Do të deklarohemi pas takimit për të gjitha temat sepse kemi takim konsultativ për temat që janë duke ju interesuar edhe juve”, u shprehë ajo.

Kurse, nënkryetari tjetër i LDK-së, Lutfi Haziri u shprehë i bindur për arritjen e koalicionit.

“Sot kryetari i LDK-së ka zhvilluar konsultime ditore siç kam thënë dje, ne do të vazhdojmë përpjekjet me takime intensive edhe brenda strukturave edhe me partnerët e koalicionit VV të arrijmë marrëveshje që të hënën i jep Kosovës ekzekutivin e ri me Albin Kurtin kryeministër. Angazhimi është që marrëveshja të jetë balancuar dhe i akomodon të dy subjektet e mëdha politike në mënyrë që të hapet rruga që mandatari të krijojë koalicion edhe me partitë e pakicave që nuk përfshinë Listën Serbe, por pakicat etnike jo-serbe. Angazhimi ynë është që kjo marrëveshje ta ndajë rolin e LDK-së në Kuvend në mënyrë që ekzekutivi dhe kuvendi të koordinohen në hartimin e politikave programore”, ka thënë Haziri sot.

Ndërsa i fundit që është deklaruar është kryetar i Mitrovicës, Agim Bahtiri i cili ka thënë se Konjufca nuk do të jap dorëheqje nga posti i kryeparlamentarit.