A pritet të ketë vërshime gjatë kësaj jave në vend? Flasin nga IHMK-ja

Java e fundit e stinës së dimrit do të karakterizohet me mot të ndryshueshëm.

Gjatë kësaj jave sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, mbi vendin tonë parashihen reshje shiu dhe bore.

Pavarësisht se këtë javë është paraparë të ketë reshje, nga IHMK bëjnë të ditur se nuk pritet që të ketë vërshime.

“Jo nuk parashihet të ketë vërshime”, ka thënë shkurt për Telegrafin, Bashkim Kastrati nga sektori për Hidrologji dhe Prognoza Hidrologjike, në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës.

IHMK ka theksuar se borë kryesisht do të ketë në viset mbi 800m lartësi mbidetare, ndërsa në viset e ulëta parashihet shi dhe borë.

Kjo situatë e paqëndrueshme do të vazhdoj deri me datën 18 apo 19 mars, pastaj mbi vendin tonë parashihen kthjellime dhe rritje të lehta të temperaturave.

Temperaturat minimale gjatë këtyre pesë ditëve të ardhshme parashihen të lëvizin ndërmjet -3 deri 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4 deri 7 gradë Celsius.

Kujtojmë se gjatë muajve të kaluar si pasojë e reshjeve të mëdha, në disa komuna të vendit tonë pati vërshime të cilat shkaktuan probleme të mëdha tek qytetarët.