A u mashtruan mësimdhënësit?

Shkruan: Burim Gjaka

Greva në arsim këtë vit nisi duke respektuar të gjitha procedurat që janë të normuara në lidhje me fillimin e një greve. Paralajmërimet, grevat njëorëshe, protestat etj. i paraprinë grevës së përgjithësme e cila filloj më fund të gushtit. Lidershipi i SBASHK-ut përpiloj kërkesat të cilat ishin shumë të arsyeshme dhe që natyrisht morën besimin e të gjithë anëtarëve, përmes deklarimeve individuale që të filloj greva. Pra për të qenë më të qartë anëtarsia autorizoj kryesinë e SBASHK-ut që të filloj grevën dhe që greva të zgjatë derisa të plotësohen kërkesat sindikale. Natyrisht kryesia e SBASHK-ut kishin mandatin edhe të negocionin me Qeverinë.

Greva vazhdonte dhe Qeveria jo që nuk reflektonte, mirëpo filloj sulmet më brutale ndaj kryesisë së SBASHK-ut dhe grevistëve në tërsi duke i akuzuar, sulmuar, fyer, shantazhuar, biles edhe duke i kërcënuar me ndalje page, gjë që edhe në muajin shtator pagat nuk u dolën punëtorëve të sektorit publik deri më datën 5 dhe njëjtë po ndodhë edhe sot. Nuk mjaftoj as vizita e kryetares së Sindikatave të Arsimit te Evropës dhe takimi me kryeministrin që ky i fundit të ndrroj qëndrim. Analfabetë, sabotorë të shtetit, sindikalistë të PAN-it etj. ishin vetëm disa nga etiketimet që iu bënë arsimit-shtyllës kryesore të shtetit. Mirëpo nuk mund të pritej ndryshe kur dihet fakti që kryeministri dhe shumë ministra të tij fëmijët e tyre nuk i kishin në shkolla publike dhe nuk i njihnin dhe vlerësonin mësimdhënësit.

Pakoja e ofruar për ndihmë ekonomike nga Qeveria përfshinte edhe mësimdhënsit me një ndihmë simbolike vetëm 50€ dhe atë vetëm deri në fund të dhjetorit, e që më shumë ishte një tentim për ta shtuar presionin ndaj grevistëve. Poashtu edhe premtimi për ligjin e pagave është një “ zog në qiell” ngase askush nuk mund të garantoj që ky ligj do të kaloj dhe edhe nëse kalon nuk mund të hy në fuqi deri 8 muaj pas nënshkrimit, e që i bie më së afërti në shtatorin e vitit 2023. Në njërën anë bëhej presion për fillimin e mësimit, kurse në anën tjetër shkollat ishin pa libra, mos të harrojmë që librat e klasëve të pesta shkollave iu kanë sjellur vetëm në javën e fundit të shtatorit dhe atë ende të pakompletuara.

Përfundimisht mësimdhënsit kishin plotësisht drejtë dhe nuk i merituan ato fyerje e përulje nga kryeministri dhe vartësit e tij. Duhet të kritikohet patjetër edhe sjellja e Këshillit të Prindërve të cilët pothuajse çdo dtë kërcënonin mësimdhënësit te të cilët tashmë do t`i dërgojnë nxënësit në shkolla, kurse rrallë, për të mos thënë fare nuk i drejtuan shënjestrat nga Qeveria. Fundja njerzit kanë votuar këtë kryeministër për të ofruar zgjidhje kur ka probleme dhe jo SBASHK-un.

Dhe çka ndodhi në javën e fundit? Prsioni ndaj grevistëve rritej dhe SBASHK-u të ndodhur para një situate të tillë humbin busollën. Ua ofrojnë një kërkesë anëtarësisë me pyetje dhe propozim sugjestiv se a pajtohen ta pezullojnë grevën deri në muajn janar ose jo? Pra topin dhe konfliktin ua dërgojnë mësimdhënsve të cilët nuk kishin nevojë të deklarohen fare për një qështje të tillë, sepse greva ishte nisur me disa kërkesa dhe ato kërkesa nuk ishin plotësuar. Kryesia e SBASHK-ut e kishte mandatin për negociata dhe mund t`a ndërprente grevën kurdo që ta shihte të arsyeshme por jo të lunate me dinjitetin e mësimdhënësve me kërkesë sugjestive dhe pastaj të dal me kinse rezultate se 54% e mësimdhënsve kanë kërkuar pezullimin e grevës. Kërkesa për pezullim nuk doli nga mësimdhënësit por nga kryesia e SBASHK-ut. Ky rezultat lë shumë për të dëshiruar, është imponues dhe madje zgjon dyshime për fabrikim.

Në këtë situatë në sipërfaqe dalin shumë ide dhe propozime, mirëpo ka disa pyetje që duan përgjigje. Çka do të ndodhë në jnar nëse nuk ka lëvizje në drejtim të plotësimit të kushteve të mësimdhënësve? A ka më integritet moral kryesia e SBASHK-ut të bëj ftesa për organizime grevash apo të ngjashme? A do të rritet tashmë presioni i Qeverisë ndaj arsimit kur dihen pozicionet SBASHK-Qeveri? Kush merr përgjegjësinë për këto vonesa-ndalesa të pagave nga ana e Qeverisë? Çka do të ndodhë me orët e humbura? Cili është autoriteti i mësimdhënësit në popull pas gësaj greve? Si garantohet se këto rezultate të dalura kinse nga votimi janë reale?

Përfundimisht greva ka qene e ligjëshme dhe kërkesat kanë qenë të arsyeshme dhe legjitime, mirëpo greva po përfundon pa realizuar asnjë kërkesë madje duke lënë pas vetes shumë dëme jo vetëm në proces mësimor, por edhe në autoritetin e mësimdhënësve, prindërve dhe sidomos Qeverisë dhe kryesisë së SBASHK-ut. Dorëheqja morale e kryesisë së SBASHK-ut do të ishte mëse e arsyesheme për shkak të dorëzimit në formë jo të duhur dhe në kohën jo të duhur, madje duke i lajthitur mësimdhënsit me gjoja votime. Dorëheqja e tyre ndoshta do ta ruante anëtarësinë e SBASHK-ut, ndryshe konsideroj se do të zvogëlohet me të drejtë numri i sindikalistëve, madje në masë shumë të madhe!