Opozitarizmi i çakorduar në një seancë koti

Shkruan: Burim Gjaka

Qytetarët e Kosovës dje ishin dëshmitarë të një seance koti të mbajtur në Kuvendin e Kosovës. Sesioni pranveror i ” Tempulllit Legjislativ” filloi më 19 janar 2024, me një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga opozita, që në dukje ishte seancë e thirrur me qëllim mjaftë pozitiv dhe që kishte një kërkesë fisnike për qytetarët, pra kërkesa ishte të debatohej dhe në fund të senacës të nxirrej një rezolutë e cila i kërkonte ZRRE-së t’i lironte tarifat e energjisë elektrike. Qëllimi i thirrjes së seancës ishte mjaftë pozitiv dhe prekte interesin e të gjithë qytetarëve, më konkretisht kjo kërkesë dilte nga halli i të gjithë qytetarëve pa dallim partie.

Mirëpo a ishte përgatitur mirë seanca nga thirrësi i saj, në këtë rast opozita si organizatore e kësaj seance? A ishin dakorduar forcat opozitare që seanca të shkoj si duhet, a ishte qëllimi që me këtë seancë të realizohej plani opozitar, e që ishte lirimi i tarifave të energjisë, apo senaca ishte thirrur vetëm sa për të thënë dhe sa për tē fituar disa mëditje?
Nga syri i një qytetari senca qysh në fillim dukej joserioze edhe pse duke pasur për bazë pikën e rendit të ditës, ishte mjaftë atraktive dhe opozita gjente përkrahjen morale të qytetarëve. Fundja edhe votuesve të pushtetit ju konvenon lirimi i energjisë, prandaj pritjet ishin se diçka edhe mund të lëvizte. Pushteti qysh në fillim kishte injoruar seancën e që apriori ishte injorim edhe i hallit të qytetarëve. Mungonin kryetari dhe nënkrytari i Kuvendit nga pozita, seanca drejtohej nga një nënkrytar i komuniteteve i cili mezi lexonte shqip dhe participimi qeveritar ishte mjaftë simbolik, me 1 ministre dhe shefen e grupit kuvendar, të cilat silleshin vërdallë duke qëndruar më shumë jashtë koridoreve sesa në seancë, të cilat mundoheshin ndonjëherë të arsyetonin diçka që nuk arsyetohej, e që ishte qmimi i lartë i energjise. Fundja nga pushteti edhe nuk pritej më mirë sepse tarifat aktuale të energjisë janë të vendosura nga ta.

Mirëpo a e kreu opozita misionin e saj në këtë seancë? Dorën në zemër deputet opozitar ishin mjaftë të zëshëm, të arsyeshëm dhe mjaftë të artikuluar. Ata ndër të tjera ua qartësuan qytetarëve se tarifat e larta të energjisë i përcakton ZRRE-ja, bordi i së cilës zgjedhet nga Qeveria e poashtu këto tarifa ZRRE-së ia ka propozuar Qeveria që nuk do të duhej të ndodhë. Poashtu qytetarët e mësuan nga deputetët opozitarë se KESCO e blenë energjinë me qmim 2.90€ dhe qytetarëve ua shet 14.45€. Mjafton kjo e dhënë që të gjithë qytetarët tashmë e kanë kuptuar se janë duke u stërvjedhur nga KESCO, me bekimin e Qeverisë.

Mirëpo a mjafton zëri i arsyeshëm i 7-8 deputetëve që ajo sencë të quhej e suksesshme dhe të arsyetohej thirrja e saj? Natyrisht se jo, sepse partitë opozitare përveq që nuk ishin koordinuar mes vete duke ditur të gjithë hapat e seancës, madje do të duhej të kishin edhe alternativa dalëse, ata nuk ishin marrur vesh si duhet as me deputetët e partive të tyre. Nga të tri partitë opozitare shqiptare të prezantuara në Kuvend, PDK, LDK dhe AAK nuk ishin prezentë as gjysma e deputetëve të tyre. Dhe këtu shihet serioziteti i tyre. Senca zgjatë 2-3 orë, debatohet sa debatohet derisa dikur deputetët mërziten sepse ishte koha e drekës dhe pasi që s’kishte më diskutues seanca shpallet e mbyllur nga kryesuesi i saj, me arsyetimin e mungesës së kuorumit. Pra rezoluta për uljen e tarifave të energjisë nuk pati mundësi as të hudhet në votim. Pra edhe kjo seancë përfundon si shumë tjera, dhe a mund të cilësohet kjo senacë, e suksesshme apo jo e vlerësojnë qytetarët.

Është e kuptueshme se opozita e ka të vështirë ta mund të një mazhorancë e cila mbisundon Kuvendin me mbi 50% të deputetëve, mirëpo e ka për obligim të jetë serioze dhe e vendosur në nismat që merr. Të paktën kur opozita i thërret seancat e jashtzakonshme duhet t’i obligoj deputetët e saj që të gjithë të marrin pjesë në seanca dhe të jenë aktiv në demaskimin e pushtetit, ndryshe është e panevojshme të thirren seanca vetëm sa për të thënë sepse seancat e tilla janë koti dhe nuk kanë ndonjë vlerë, biles i humbet edhe qytetarit vullneti për t’i ndjekur. Forcat opozitare ose duhet të dakordohen më mirë sepse terenin e kanë mjaftë të përshtatshëm ose mos bëjnë zhurmë koti!