A u rrah Bekim Haxhiu në ndeshje të futbollit të grave? Deputeti sqaron situatën dhe paralajmëron padi

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka reaguar ashpër pas raportimeve se ai ka qenë i përfshirë në një përplasje gjatë ndeshjes finale të futbollit kosovar në kategorinë e grave mes KFF Mitrovicës dhe KFF Feronikelit.

Edhe Periskopi e kishte botuar një artikull të bazuar mbi një reagim nga ana e KFF Feronikelit që pretendonte se Haxhiu kishte ndikuar që gjyqtari anësor të pranonte një gol të paqenë për klubin e Mitrovicës, e i cili gol do t’i jepte edhe titullin e kampionit.

Po ashtu, aty thuhej se Haxhiu kishte qenë i përfshirë në konflikt – mirëpo raportimi ynë ka qenë më se korrekt duke shtruar thjesht pretendimet e klubit nga Drenasi.

Haxhiu ka mohuar në reagimin e sotëm të ketë qenë i përfshirë në konflikt, ndërsa përmend një familjar të tij i cili ishte fyer e sulmuar nga drejtuesit e Feronikelit. Sipas tij, ai thjesht është munduar të evitonte rrahjen mes tij dhe drejtuesve të Feronikelit.

“Po i pyes të gjithë që me apostrofuan dje duke dezinformuar opinioni, si është dashtë të veproj, ta kthej shpinën dhe të lejoj djalin e vëllaut tim dhe tifozët mitrovicas që para syve të mi të përleshen me zyrtarët e klubit Feronikeli!?” – ka shkruar z.Haxhiu, përcjell Periskopi.

Ndryshe, dje në atë ndeshje fitoi KFF Mitrovica falë një goli të pranuar në mënyrë skandaloze ndaj KFF Feronikelit.

Reagimi i plotë:

E kam thënë edhe më parë, e fatkeqësisht po duhet ta përsëris, se për plasimit të shpifjeve tek ne të rreshtojnë ku kanë synim, të paragjykojnë apo edhe të bëjnë anëtar të kryesisë të cilit klub duan.

Edhe pse unë i ndodhur si shikues në ndeshjen e futbollit dhe jam përpjekur ta evitojë eskalimin e situatës mes tifozëve dhe zyrtarëve të Klubit të Feronikelit, disa media e keqinterpretojnë dhe me atakojnë se i kam sulmuar zyrtarët e Feronikelit. E vërteta është se personi ne video është djali i vëllaut tim, i cili u provokua e u sha nga zyrtarët e Feronikelit dhe unë e kam qetësuar dhe qortuar djalin e vëllaut që të mos bie pre e provokimeve.

Mediat apo portalet që dezinformuan se unë i kam sulmuar zyrtarët e Feronikelit padyshim që do ti padisë për shpifje, sepse fillimisht është dashur të më kontaktojnë dhe pyesin si ka qenë e vërteta. Pra, unë e kam evituar konfliktin, dhe nuk e kam shkaktuar e as sulmuar askënd.

Për ata që deshirojnë ta kuptojnë të vertetën, në vidoen e shperndarë pas lojës Mitrovica-Feronikeli, personi që unë e ndaloj dhe e qetësoj ështe djali i vëllaut tim i cili u provokua nga disa zyrtarë të Feronikelit.

Po i pyes të gjithë që me apostrofuan dje duke dezinformuar opinioni, si është dashtë të veproj, ta kthej shpinën dhe të lejoj djalin e vëllaut tim dhe tifozët mitrovicas që para syve të mi të përleshen me zyrtarët e klubit Feronikeli!?

Boll ma me rrena e dezinoformata. Megjithatë, unë me të gjithë ata që shpifën do të takohem në gjyq.

Prandaj i ftoj mediat që t’i dematojnë dezinformata që i plasuan dhe të më kërkojnë falje publike ne lidhje me gjoja perleshjen pas lojës Mitrovica – Feronikeli në Stadiumin “Riza Lushta” në Mitrovicë, që djalin e vellaut tim e prezantuan si zyrtar të Feronikelit.

Të gjitha ato portale dhe media që kanë dezinformuar, nëse nuk e dematojnë shpifjen e bërë duke e prezantuar djalin e vellaut tim si zyrtar te Feronikelit, nëse nuk kërkojnë falje publike do të përballen në Gjykatë për shpifje.

Për fund, mos lejimi i djalit të vëllaut tim në përleshje, në konflikt është obligim familjar dhe njerëzor i imi, besoj do të duhej të ishte i çdo njeriu normal.

Me respekt,

Bekim Haxhiu