Haradinaj ia kthen ashpër Vuçiqit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i është përgjigjur presidentit të Serbisë, Aleksandër Vucic, i cili dje ka thënë se nuk i njeh kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Kosovës.
Në një postim në Facebook, Haradinaj është zotuar se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të mbrojtur territorin e Kosovës.
Më poshtë postimi i Haradinajt:
Deklaratat e fundit kërcënuese, agresive dhe luftënxitëse të Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, të dhëna dje me datë 7 shkurt 2019 në qytetin e Vranjës, Serbi, se nuk i njeh kufijtë e Kosovës, kufijtë ndërkombëtarisht të njohur dhe të pranuar në Jarinjë dhe Bërnjak, janë të papranueshme dhe paraqesin cenim serioz të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.
Këto deklarime janë edhe një atak i hapur ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, si dhe rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Kosovë, rajon dhe më gjerë.
Si kryeministër i Republikës së Kosovës zotohem se do të ndërmarr të gjitha veprimet kushtetuese dhe ligjore me qëllim të ruajtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, në përputhje me Deklaratën e Pavarësisë së 17 shkurtit 2008 dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.