Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Që dy vite të themi hartoje draftin e Asociacionit, tash është shumë vonë

Kryetari i LDK-ë, Lumir Abdixhiku, i ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se vitin e ardhshëm do ta shkruaj një draft-statut për Asociacionin.

Ai ka bërë me dije se që dy vite LDK-ja dhe gjithë miqtë e Kosovës i kanë kërkuar Kurtit të hartojë draftin e statutit të Asociacionit.

Në profilin e tij në “Facebook”, Abdixhiku ka shkruar se “kryeministri i shtetit të përkohshëm” ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë.

“Ka plot dy vite që ne, LDK, dhe gjithë miqtë më të afërt të Kosovës, që i kërkojmë Kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e “kryeministrit të shtetit të përkohshëm”, që të hartojë draftin e statutit të Asociacionit, si dokument i brendshëm i Kosovës. Si obligim ndërkombëtar i Kosovës. Ka dy vite që “kryeministri i shtetit të përkohshëm”, i ulur në tavolinë dialoguese me tre mosnjohjes të tjerë shteti, që ka refuzuar të bëjë një gjë të tillë”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka treguar se pse Kurti nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Në seancën e 3 nëntorit, e kuptuam arsyen. Na tha, “nuk kam dashur të shkruaj një dokument të tillë, meqë kam qenë i bindur se ndërmjetësuesi më pas do të sillte një mes të dokumentit të Kosovës dhe atij të Serbisë”. Por dokumenti i ndërmjetësuesit erdhi. Jo si mes, por dhe më rëndë, erdhi si autonomi! Dy muaj më pas, tek pasi ka pranuar autonominë e serbëve në Kosovë, Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, i ulur në karrigen e “kryeministrit të shtetit të përkohshëm”, del me propozim që tani Kosova ta shkruaj statutin e Asociacionit vet”, ka shkruar ai, duke shtuar se Kurti një gjë të tillë e paska kuptuar vonë. “ Se qenka çështje e brendshme e jona. E paska kuptuar nga ndërmjetësuesi. Dy vjet pas. Vonë. Shumë vonë. E dëmshme kjo vonesë. E kushtueshme kjo vonesë. I thonë sot autonomi! Autonomi e pranuar nga “kryeministri i shtetit të përkohshëm” dhe Presidenti i Serbisë. Dhe jo vetëm kaq. Ka plot dy muaj që si narracion kryesor të tij, na thotë se ka qenë i gatshëm të nënshkruaj Draft Statutin e Asociacionin me Presidentin e Serbisë. Madje që atë ditë. Merreni me mend, një dokument të brendshëm të Kosovës, ta nënshkruaj jo një President Kosove por një President, hiç më pak se ai i Serbisë. Ka plot dy muaj që ngrisim në pah këtë çmenduri; dhe tek sot, dy muaj më pas, s’kërkon këtë nënshkrim. Nënshkrimi i draft statutit me Serbinë s’është më kërkesë. Çfarë ndodhi “kryeministër i përkohshëm”? E kuptove – më në fund – këtë çmenduri? A e kuptoni se sa pak di? A e kuptoni se sa e dëmshme është kjo vonesë e tij. Paqëndrueshmëria e tij është thelbi i pasigurisë! Padituria e tij është çmimi që paguajmë sot dhe nesër të gjithë’, ka shkruar ai.