Imami Emin Behrami: Naim Tërrnava, mua, mikut dhe mbështetësit më të madh më bëri kurthe të turpshme

Imami nga Vushtrria Emin Behrami ka vazhduar me akuza në drejtim të myftiut të Kosovës, Naim Tërrnava.

Një mosmarrëveshje midis dy hoxhallarëve ka filluar kohë më parë, porse imami Emin Behrami ka shkruar edhe një shkrim të cilin e ka titulluar “ UNË, PROFESOR EMIN BEHRAMI, ISHA PËRKRAHËSI MË I SINQERTË DHE VENDIMTAR PËR FATIN E NAIM TERNAVËS NË FAZAT MË TË RËNDËSISHME QË I KA KALUAR NË BIK”.

Ai është shprehur se Naim Tërrnavës e ka përcjellur qysh prej kohës kur ishte student dhe nuk e ka pritur se siç pretendon ai “t’i bëjë kurthe” pas shpinës, shkruan lajmi.net.

UNË, PROFESOR EMIN BEHRAMI, ISHA PËRKRAHËSI MË I SINQERTË DHE VENDIMTAR PËR FATIN E NAIM TERNAVËS NË FAZAT MË TË RËNDËSISHME QË I KA KALUAR NË BIK

Në këtë artikull do të shkruaj pak më ndryshe, krahasuar me herat e kaluara dhe të tjerave që do të pasojnë më vonë, për të dëshmuar faktin se ku qëndron nyja e problemeve dhe e mosmarrëveshjeve të thella që shpërthyen së fundmi në mes meje dhe Muftiut Naim Tërnava. Ato nuk u shfaqën në fillim kur erdhi si profesor në Medrese, as kur u emërua drejtor i saj, as kur në Medrese u kandidua si kandidat i mundshëm për Mufti, porse ato u manifestuan vetëm në kohën kur përfundimisht e siguroi mandatin e të qenit mufti “i përjetshëm” i BIK-ut, me ç’rast vlerësoi se miqtë e tij të vjetër, profesionist e parimor në veprimet e tyre, më nuk i nevojiten, duke i prishur tërësisht raportet edhe me mua, si përkrahësi më i sinqertë i tij i deriatëhershëm dhe më vendimtari për përcaktimin e perspektivës dhe fatit të tij.

Thënë të vërtetën nuk e kam parim jete që bamirësinë e bërë ndaj kujtdo qoftë ta zë në gojë, porse në raport me Muftiun Tërnava jam detyruar që këtë ta bëj, pas shterrjes së durimit tim, pas injorimeve e dhunës së tmerrshme që kundër meje i ka bërë, duke i shpalosur vetëm disa prej tyre, sa për të parë se deri ku mund të shkoj njeriu kur humbë gjykimin e arsyeshëm në sjelljet dhe në veprimet e tij si udhëheqës i muslimanëve në Kosovë, ndërsa synon vetëm pushtetin anarkik dhe asgjë tjetër jashtë tij.

I SAKRIFIKOVA INTERESAT E MIJA PERSONALE PËR HIR TË ARDHMES SË NAIM TËRNAVËS.

Me që Naim Tërnavën që në vitin 1979 e kisha zënë si nxënës-maturant në vitin e 5-të të Medresesë së mesme “Alauddin” në Prishtinë, në cilësinë e edukatorit, pata rastin ta përcillja formimin e personalitetit të tij nga afër. Studimet e akaidologjisë i vazhdoi në Kajro, pas përfundimit të të cilave u kthye në Kosovë për të dhënë kontributin e tij në vendin e vet.

HAPIN VENDIMTAR QË NAIM TËRNAVA TË ZGJEDHET PROFESOR NË MEDRESE IA SIGUROVA UNË, BASHKË ME PROF. FADIL HASANIN.
Ambiciet dhe ëndërrat e tij ishin që frutet e studimeve islamike t’i jetësojë në Medrese, në fushën e specializimit të tij. Këtë synim e ndihmonte krijimi i rrethanave të reja në shkollën tonë, sepse alimi ynë i mirënjohur H. Sherif Ahmeti nuk dëshironte më që ta vazhdonte mësimdhënien e kësaj lënde edhe në objektin e ri të Medresesë, kur ajo u hap në vitin 1985.

Naim Tërnava e kishte të pamundur që aty të fillonte karrierën e tij si mësimdhënës i njërës ndër lëndët më kryesore në të, për shkak të rrezistencës së fuqishme që i bëhej nga ish krerët e Bashkësisë Islame në Prishtinë, si nga kryetari, Jetish Bajrami, nga sekretari, Jashar Jashari dhe nga brenda shkollës, si nga ish drejtori i Medresesë, Resul Rexhepi dhe nga një grup i vogël aty, zakonisht përkrahës të krerëve të BIK-ut.

Të vetmen shpresë Tërnava e kishte në qëndrimin tim rreth të ardhmes së tij në Medrese, për arsyen e vetme sepse unë gëzoja autoritet të jashtëzakonshëm te shumica absolute e kolegëve profesorë, edukatorë dhe te të tjerët gjithashtu, i bindur se unë jam edhe njohës shumë i mirë i dispozitave ligjore të aplikueshme atëherë në shkollën tonë.

Krerët e ish Bashkësisë Islame e kishin nuhatur me kohë qëndrimin tim rreth përkrahjes ndaj Naim Tërnavës për t’a kyqur si profesor i rregullt në Medrese, prandaj edhe vërshuan me kërcënime nga më të ndryshmet, pasojat e të cilave paraprakisht e dija se do të jetë të rënda e të tmerrshme njëkohësisht, të cilat më vonë ashtu edhe u konkretizuan.

Megjithatë unë nuk u zbrapsa nga qëndrimi im parimor, duke e flijuar interesin tim për të mirën dhe perspektivën e Naim Tënavës, prandaj dhe për të realizuar këtë synim madhor për Tërnavën, në krah më doli edhe prof. Fadil Hasani dhe një numër i mjaftueshëm shumicë nga profesorët dhe edukatorët e tjerë të Medresesë.

Duke u bazuar në dispozitat e atëhershme ligjore të cilat kompetencën për inicimin e pranimit të kuadrove të reja në Medrese ia besonin këshillit arsimor-edukativ të shkollës, mora iniciativën ligjore për përgatitjen e “propozimit” për pranimin e Naim Tërnavës si profesor i rregullt në Medrese, të cilin Kryesia e Bashkësisë Islame domosdoshmërisht duhej që ta miratonte si të tillë.

Deklarohem sinqerisht se gjatë gjithë periudhës kohore sa ai ishte mësimdhënës u tregua shumë i afërt, korrekt, i sinqertë dhe komunikues me trupin arsimor-edukativ për shqyrtimin e problemeve të natyrave të ndryshme të shfaqura në Medrese, pa dhënë sinjale as nga afër dhe as nga larg se ka prirje karrieriste në dëm të interesit të përgjithshëm të Medresesë dhe të Bashkësisë Islame.

EDHE EMËRIMIN E TIJ SI DREJTOR SHKOLLE E KISHTE DHURATË NGA UNË, SI UDHËHEQËS I FUSHATËS, NGA FADIL HASANI, NGA SHUMICA E PROFESORËVE DHE NGA EDUKATORËT.
Kryesia e atëhershme e BIK-ut ishte përcaktuar që prof. Qazim Qazimi të rizgjedhet drejtor i shkollës, kurse shumica e këshillit arsimor-edukativ i Medresesë, për shkak të kualiteteve jo të përshtatshme të tij si udhëheqës, kishim preferenca tjera, më konkretisht ishim përcaktuar që drejtor i ardhshëm i shkollës të propozohet prof. Naim Tërnava.

Edhe këtë herë tërë shpresën ai e kishte ndërlidhur me qëndrimin tim rreth çështjes së tij. Kryesia e atëhershme e BIK-ut, pasi që kuptoi përcaktimin tim për Naim Tërnavën si drejtor shkolle, ndërsa kisha ndikim, autoritet dhe bashkëpunim të jashtëzakonshëm me kolektivin e Medresesë, m’i shtuan presionet dhe kërcënimet se do t’ia shohë sherrin këtij përcaktimi kundër Kryesisë së Bashkësisë Islame, të cilët ashtu edhe vepruan, duke mos më dërguar në haxh p.sh,, as në vizita brenda Kosovës dhe as jashtë saj si dhe duke më përjashtuar nga shumë të drejta tjera të cilat i shfrytëzonin të tjerët, përkrahësit e krerëve të BIK-ut. Në fund autoriteti, puna dhe angazhimi im rezultuan me zgjedhjen e Naim Tërnavës për drejtor të shkollës, në vend të prof. Qazim Qazimit.

Naim Tërnava, edhe gjatë mandatit të tij si udhëheqës i shkollës u tregua shumë vizionar, i afërt me bashkëpunëtorë dhe me nxënës, gjatë të cilës periudhë kohore Medreseja prap mori të mbarën nga të gjitha aspektet, përçka atij absolutisht nuk i hahet haku. Ai këtë sukses s’do të mund t’a arrinte sikur pas tij të mos qëndroja unë dhe të tjerët, duke e përkrahur sinqerisht dhe duke i shqyrtuar problemet e shtruara me vendosshmëri e profesionalizëm.

PASTAJ EDHE ZGJEDHJA E TIJ SI KANDIDAT I MUNDSHËM PËR KRYETAR-MUFTI I BIK-ut E KISHTE DHURATË NGA UNË, SI UDHËHEQËS I FUSHATËS, DHE NGA BASHKËPUNËTORËT E TJERË.
Duke u bazuar në përvojën e mirë që me të e kishim si mëshimdhënës dhe si drejtor shkolle, u motivuam që ai, nëse vazhdon si i tillë, meriton të ngritet në shkallën më të lartë në organet e Bashkësisë Islame, duke e propozuar si kandidat i mundshëm për mufti të BIK-ut, propozim ky i cili gjithashtu kaloi me sukses në kolektivin e Medresesë.

KUR NAIM TËRNAVA U ZGJODH MUFTI, MË HODHI PAS SHPINE, MË PËRGATITI KURTHE TË TURPSHME, MË INJOROI DHE MË PËRJASHTOI NGA PUNA PA PROCEDURË LIGJORE, DUKE M’I NDËRPRERË EDHE TË GJITHA TË ARDHURAT PERSONALE, 69 MUAJ PARA PENSIONIT.

Naim Tërnava, pasi që i realizoi synimet e tij për t’u bërë Mufti “i përjetshëm” i BIK-ut, ndryshoi sjelljen kundrejt meje, duke më përgatitur kurthe të shumta e të turpshme, duke më akuzuar për shpifje të cilat ai i kishte ngritur në opinion dhe në fund, pa zhvilluar asnjë procedurë ligjore, në një seancë të thirrur kundërligjshëm vetëm një ditë më parë, nga komisione disiplinore kundër Kushtetutës së BIK-ut, duke e uzurpuar kompetencën kushtetuese të Komisionit disiplinor të shkallës së parë të Medresesë, pa më dërguar as padi dhe as aktakuzë, duke më mohuar të drejtën ligjore për mbrojtje dhe për përdorim të mjeteve ligjore, pa i ftuar në seancë Bahri Simnicën dhe Shemsi Rrahimin si palë në proces, brenda tri ditë pune më largoi nga marrëdhënia 33 vjeçare e punës, duke m’i ndërprerë edhe të gjitha të ardhurat personale mujore, plot 69 muaj para pensionit të pleqërisë.

Kështu pra Muftiu Tërnava, duke më njohur karakterin dhe qëndrimin tim parimor dhe të paluhatur ndaj ecurive të përgjithshme në Medrese dhe në Bashkësinë Islame në përgjithësi se unë për aq kohë sa kurrën e kurrës nuk jam pajtuar me dukuritë negative dhe me veprimet e kundërligjshme në Medrese dhe në BIK, i tillë do të jem edhe gjatë mandateve të tij, prandaj dhe për këto arsye përfundimisht më përjashtoi nga skena, duke e vlerësuar se roli im tani më paska përfunduar mu atëherë kur ka arritur majën e hierarkisë në BIK, ndërsa në vend timin zgjodhi ata që me dekada e kundërshtuan, si dhe injorantë të tjerë, me ndihmën e të cilëve me lehtësi po i realizon interesat e tij karrieriste.

Po ç’më bëri mua, si miku më i sinqertë i tij në momentet më dramatike të jetës së tij dhe si m’u hakmorr barbarisht, disa prej të cilave do t’i shpalosi herave tjera në vazhdim. Kështu unë me lëkurën time e kam kuptuar dimensionin e thellë kuptimor të frazës së njohur arabe: “Ruaju sherrit të atij që i ke bërë mirë”.Vazhdon.

Prof. Emin Behrami, Vushtrri, më dt. 13.06.2019,