Abdixhiku kërkon hetim nga Prokuroria për kontrabandën e drogës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit hetim të njerëzve që janë përfshirë në kontrabandën e narkotikëve nga Prishtina për në Tiranë si dhe mbështetësve të tyre, raporton Fokusi.info

Përmes një statusi në Facebook, Abdixhiku këtë trafikim të drogës e ka lidhur me emërimin e asamblistit të Vetëvendosjes, Besnik Mujeci, në Ndërmarrjen Publik Stacioni i Autobusëve në Prishtinë.

Abdixhiku ka kërkuar hetim të pjesëmarrësve në këtë trafikim droge si dhe, siq ka thënë, mbështetësve politik të tyre.

Sot, teksa një asamblist i tyre është arrestuar me plot 11 mijë doza narkotikësh në vlerë prej gjysmë milioni euro; si pjesë e një rrjeti që me linjat e autobusëve Prishtinë – Tiranë bartnin narkotikë në vazhdimësi; nuk ka se si të mos rikujtojmë insistimin e opozitës së Kryeqytetit, Lëvizjes Vetëvendosje, për ta vendosur të njëjtin asamblist – pikërisht këtë pra – si aksionar në këtë Stacion. Jo Termokos, Prishtina Parking, NPB, Pallat të Rinisë apo dhe secilën ndërmarrje tjetër në Kryeqytet, por vetëm në Stacion; aty ku linjat e autobusëve niseshin për çdo ditë.

Pazaret e tilla duket se kanë pasur një qëllim më të thellë. Prandaj dhe grupet, prandaj dhe nisma, prandaj dhe insistimi atëherë.

Ftoj Prokurorinë e Shtetit të hetojë këtë rrjet; në veçanti njerëzit e përfshirë në këtë skemë dhe mbështetjen politike që kanë marrë në gjithë këtë proces”, ka shkruar Abdixhiku ndër të tjera.

Ai ka thënë se i siguron qytetarët e Prishtinës se, sipas Abdixhikut, bandat e tilla narkotike, s’do të kenë asnjëherë hapësirë në Kryeqytet.

“Prishtina e para ka provuar mashtruesit, e para është liruar nga ta. Po punojmë, nëpërmjet ‘Rrugës së Re’ për përfundim të njëjtë në gjithë Kosovën”, ka shkruar Abdixhiku.