E rëndë: I riu në Ferizaj kërcënon nënën e tij se do ta djeg me benzinë

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe me anëtarët e tjerë të familjes. Në shumë raste, viktima janë edhe nënat, të cilat përjetojnë dhunë nga fëmijët e tyre.

Një rast i rëndë ka ndodhur mbrëmë në një familje në fshatin Talinovc i Muhaxherëve në Ferizaj, ku një 27-vjeçar dyshohet se ka kanosur seriozisht nënën e tij.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë ku ata jetojnë, e ku i dyshuari i nervozuar ka hedhur benzinë në dhomën e ndejës dhe ka kërcënuar se do ta djegë me benzinë nënën e tij.

Përballë kësaj situate, gruaja e frikësuar ka kërkuar ndihmën e Policisë, ku para hetuesve policorë ka rrëfyer se motivi që dyshohet se shtyu të birin të bëjë këtë veprim, është kërkesa e saj që të flejë më vajzën e 27-vjeçarit, respektivisht mbesën e saj.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Dhunë në familje’.

Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.