Abdixhiku thotë se Kurti s’e tha të vërtetën për dokumentet: T’u dorëzua dosja e kaltër me 29 faqe

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës [LDK], Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Albin Kurtin për fjalët e thëna dje në Bruksel ku pretendoi se nuk i janë dorëzuar dokumentet për dialog.

Abdixhiku thotë se “dokumentet e dialogut të janë dhënë ditën e pranimit të detyrës”. Ai ka specifikuar se Horti i ka dorëzuar 29 faqe raport, e të cilat përmbajnë dokumentet e dakorduara në secilin takim.

“Të bësh politikë është një gjë. Të bësh viktimën kur s’je i tillë është e panevojshme – është dobësi.” – ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë se LDK është e gatshme të ofrojë informata në të mirë të vendit, dhe se “njerëzit e mi në LDK janë pesë minuta larg në Prishtinë.”

Statusi i plotë:

Kryeministër,

Të bësh politikë është një gjë. Të bësh viktimën kur s’je i tillë është e panevojshme – është dobësi.

Dokumentet e dialogut të janë dhënë ditën e pranimit të detyrës. Është ajo dosja e kaltërt që pason me dorështrëngim nga paraardhësi yt. Aty i ke 29 faqe raport. I ke edhe dokumentet e dakorduara në secilin takim. E ke pozicionin politik të Kosovës, e analizën e ekspertëve – të njëjtëve që i ke angazhuar tani për konsultim.

Nëse s’i mbanë mend, ke mundur të pyesësh. Nëse i ke humbur, ke mundur t’i kërkosh sërish.

Nëse të janë dashur informata shtesë nga njerëzit e mi në LDK, jemi pesë minuta larg në Prishtinë. S’jemi të huaj kur është në pyetje vendi. E duam barabartë të gjithë.

Ke mundur ta bësh secilin hap ndryshe përveç ankimit para miqve jashtë. Trego përgjegjësi. S’je më opozitë. Tani je Kryeministër. Udhëheq si i tillë.