AGK e dënon sulmin e shefit të stafit të Kurtit ndaj mediave: Është thirrje e hapur për linçim

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), ka dënuar sulmin e shefit të stafit të kryeministrit, Luan Dalipi, ndaj medieve.

Në reagim thuhet se AGK-ja konsideron se thirrja e tillë publike e njeriut më të afërt të kryeministrit Kurti në qeveri është shumë e rrezikshme dhe thirrje e hapur për linçim, përcjell Demokracia.com.

“Shefi i Stafit të kryeministrit Kurti, Luan Dalipi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, sot ka sulmuar në mënyrë të paprecedent mediet në Kosovë, duke i lidhur ato me “biznese kriminale”, dhe duke u bërë thirrje atyre që ai i ndanë në “qytetarë të dinjitetshëm”, t’i bojkotojnë ato. AGK-ja konsideron se thirrja e tillë publike e njeriut më të afërt të kryeministrit Kurti në qeveri është shumë e rrezikshme, dhe thirrje e hapur për linçim”, thuhet në njoftim.

Më tej thuhet se gjuha e Dalipit është në vazhdimësi të sulmeve të individëve të shumicës parlamentare në Kosovë, që rrezikon direkt sigurinë e gazetarëve dhe rëndon klimën e të bërit gazetarit në vend.