AGK e shqetësuar me publikimin e lajmeve të paverifikuara

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka përcjell me vëmendje raportimin në mediet online për gruan që u sulmua sot për të dytën herë në Ferizaj.

AGK-ja shpreh shqetësimin e saj lidhur me plasimin e lajmeve të paverifikuara të cilat sjellin pasoja si në rastin e gruas, për të cilën u raportua si e “rrezikshme” dhe që “po kidnapon fëmijë”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës thekson se kjo formë e raportimit, është shkelje e të drejtave të njeriut dhe në kundërshtim me standardet profesionale gazetareske dhe Kodin e Etikës.

AGK kërkon nga kolegët gazetarë që në raste të ndjeshme si kjo, por edhe në raste të tjera t’u përmbahen kritereve themelore profesionale dhe etikës së gazetarisë, që fillimisht të hulumtohen faktet, të kontaktohen organet përgjegjëse dhe pastaj të plasohen lajme.

Po ashtu, AGK e kupton rolin e medieve online për të plasuar informacione të shpejta dhe me përmbajtje sensacionale, shpeshherë nën një lloj presioni komercial, por, kjo nuk nënkupton mos respektimin e parimeve bazë të profesionit, e që gazetarët kanë një përgjegjësi ndaj audiencave të tyre.

Besojmë se ky shqetësim i yni do të kuptohet qartë dhe drejtë nga të gjithë kolegët gazetarë dhe do të ju ndihmoj në një raportimin sa më profesional, përfshirë edhe mediet online.