Porosia e vajzës së dëshmorit Rexhep Malaj: Interesat e Kosovës të vihen para atyre personale

Fitore Malaj, vajza e dëshmorit, Rexhep Malaj ka vlerësuar se interesat e përgjithshëm për ta zhvilluar Kosovën duhet të vihen para atyre personale.

“Tash nga ne kërkohet punë, ndershmëri e profesionalizëm për të zhvilluar Kosovën tonë. Të arriturat janë të dukshme por gjithsesi duhet të punohet shumë me shumë që të forcohemi edhe më tej, e sidomos tek tri shtyllat kryesore të shtetit e të cilat janë arsimi, shëndetësia dhe drejtësia”, ka thënë Malaj për Front Online.

Malaj shprehet e lumtur për të arriturat në sport dhe kulturë, teksa thotë se më e rëndësishmja është se “Kosovën nuk e sundon më këmba e huaj”.

“Kosova u bë Republika më e re në rruzullin tokësor. Kosova jonë çdo ditë e më shumë po nderohet nga personalitetet të shumta nga bota e artit, sportit, kulturës etj, të cilët me krenari po lartësojnë flamurin e Kosovës dhe janë bërë ambasadorët më të mirë të shtetit tonë. E rëndësishme është që më Kosovën nuk e sundon këmba e huaj”.

“Duke marrë parasysh krejt çka kemi kaluar, rrethanat të cilat jemi zhvilluar, nuk ka qenë e lehtë të arrihet ajo që ne dëshirojmë, por gjithsesi që ka vend që t’i gëzohemi të arriturave të gjertanishme dhe të mundohemi në vazhdimësi të bëjmë pjesën tonë aty ku jemi, gjithmonë duke vënë interesat e përgjithshme mbi ato personale”, ka shtuar tutje Malaj.

Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha në mesnatën e 11 e 12 janarit 1984 ranë heroikisht gjatë përleshjes me forcat policore serbe në Kodrën e Trimave në Prishtinë.