Ahmeti i gatshëm të bashkëpunojë me LDK dhe LVV për rrëzimin e Qeverisë

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, mund të llogarisin në votat e Partisë Socialdemokrate për rrëzimin e Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Kështu ka deklaruar kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, i cili thotë se nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë i kanë deponuar më herët se dy partitë tjera opozitare.

Ahmeti në një intervistë për KosovaPress, deklaron se presin që bashkë me LDK-në dhe Vetëvendosjen të flasim për rrëzimin e Qeverisë dhe për formulat qeverisëse pas zgjedhjeve.

I pari i Partisë Socialdemokrate thotë se janë të gatshëm si parti që të shkojnë në zgjedhje. Për më tepër ai thotë se do të vazhdojnë të punojnë edhe muajt në vazhdim që në zgjedhje të dalin sa më mirë.

Shpend Ahmeti që është edhe bashkëkryesues i delegacionit shtetëror për bisedimet me Serbinë, thotë se ky ekip janë duke punuar në vazhdimësi dhe janë të gatshëm kurdo që dialogu vazhdon.

Ai thotë se presin që shumë shpejt të jepet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për ligjin për dialogun dhe të sqarohet gjithçka.