Ahmeti në 22 vjetorin e ujdisë së Ohrit: Vetëm të bashkuar jemi më të fortë

Janë bërë 22 vjet prej se është arritur “Marrëveshja e Ohrit”, ujdi politike kjo që i dha fund konfliktit të armatosur mes shqiptarëve dhe maqedonasve.

Me këtë rast të dielen, një nga akterët e kësaj marrëveshjeje, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, dha një mesazh për popullin shqiptar.

Ahmeti tha se “vetëm të bashkuar jemi më të fortë”.

“Sot, padyshim se jemi më mirë se dje por punojmë që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja. Gjithmonë bashkë, prandaj dhe në këtë përvjetor të Marrëveshjes së Ohrit, bëj thirrje për bashkim e unifikim rreth Frontit Evropian si nevojë dhe përgjegjësi historike e kohës dhe hap i domosdoshëm për të siguruar të ardhmen”, tha Ahmeti.

Ai theksoi se gjuha shqipe dhe flamuri kombëtar bashkë me tri universitete në gjuhën shqipe, janë zyrtare.

“Sot shqiptarët i gjen gati në të gjitha dikasteret por dhe duke drejtuar me përgjegjësi institucionet e vendit, duke demostruar kapacitete drejtuese me përgjegjësi shtetërore”, tha ai.