Ajax praktikisht kampion në Holandë, dorëzohet PSV (video)

Ajax ka fituar me rezultatin 4 – 1 ndaj Utrecht duke hedhur një hap të sigurt drejt titullit kampion në Holandë, kur ka mbetur edhe një ndeshje për t’u zhvilluar. Ndërkohë PSV është mundur në fushën e AZ Alkmaar me rezultatin 1 – 0.

Skuadra e Erik Ten Hag e nisi keq duke e pësuar që në minutën e parë, por golat e Huntelaar 15′ dhe van de Beek 45′ përmbysën shifrat që në pjesën e parë.

Në pjesën e dytë, ishte Tadiç (75′ dhe 80′) që shënoi dy herë të tjera për të siguruar fitore.

Me këtë fitore Ajax ngjitet e vetme në vendin e parë me 83 pikë, 3 më shumë se PSV dhe praktikisht është kampione në Eredivisie.

Kur mbetet edhe një ndeshje, PSV duhet të fitojë ndaj Heracles 13 – 0 javën e ardhshme dhe Ajax të mundet 1 – 0 nga Graafchap, pasi diferenca e golave aktualisht është 14. Ajax do mjaftohej edhe me një barazim ndeshjen e ardhshme për t’u shpallur kampion./telesport/