AKB: Bizneset mund të humbin 1 milion euro në ditë nga mungesa e energjisë

Ndërprerja e energjisë elektrike po u shkakton humbje bizneseve dhe ekonomisë së vendit. Ndërtimtaria dhe gastronomia janë fushat që janë prekur më së shumti. Kryetari i AKB-së Agim Shahini tha se nëse vazhdon problemi me energjinë humbjet do të jenë 1milion euro në ditë, duke e pasur parasysh përdorimin e gjeneratorëve dhe shtrenjtimin e naftës.

Ndërprerja e energjisë elektrike në pikë të verës po u nxjerrë telashe kompanive ndërtuese. Pronari i një kompanisë të ndërtimit Jahir Morina tha se ndërprerja e energjisë i ka shkaktuar rreth 30% humbje në ditë. Ai tha se kjo po i kthen ata 20 vite mbrapa.

“Reduktimet e energjisë elektrike sidomos ne sektorin e ndërtimtarisë edhe gastronomisë humbjet janë jashtëzakonisht të mëdha na ka kthyer 20 vite mbrapa dhe po ndodhë në pikun e valëve të punës sepse dihet që është sezona e ndërtimi. Çdo reduktim 2 ore po na shkakton humbje 30% te orarit të punës gjatë ditës. Ne start jena me 25% humbje çdo ditë edhe me blerje të gjeratoreve jemi kthyer mbrapa. Ne nuk mund te funksionojmë me ndërprerje te energjisë”.

Ndërsa problemet me energjinë kanë prekur edhe gastronominë. Pronari i një kafeneje në lagjen Dardania në Prishtinë po thotë se gjatë reduktimeve ata po detyrohen të mbyllin lokalin sepse nuk po mund të shërbejnë.

“ Gjatë ndërprerjes së rrymës në po e mbyllim lokalin sepse nuk po mund të shërbejmë kafe e as të bëjmë pagesa”.

Mungesën e energjisë elektrike nuk e kanë pritur fare mirë bizneset e vendit. Përfaqësuesi i tyre kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve Agim Shahini i tha Radio Kosovës se humbjet do të jenë të mëdha nëse vazhdohet me reduktime. Madje ai tha se kjo do i kushtoj ekonomisë e bizneseve të vendit 1 milion euro në ditë.

“ Humbjet në ekonominë dhe bizneset e Kosovës do të ishin diku rreth 1 milion euro në ditë duke përdorur gjeneratorët si alternativë qoftë në sektorin e prodhimit qoftë të shërbimeve duke pasur parasysh se nafta tani është shtrenjtuar dhe kjo do të ishte goditje në këtë krizë për biznesin vendor, por edhe për investitorët e huaj “.

Krahas pagesave të faturave të energjisë në veri ai tha se qeveria duhet të subvencionoj energjinë sepse është organi kryesor i çdo sektori të ekonomisë. E Oda e Afarizmit të Kosovës ka kërkuar nga qeveria të krijohet një fond i veçantë për përkrahje të bizneseve për humbjet që po u shkaktohen nga ndërprerja e energjisë.