Aksident me fatalitet në Drenas, vetura godet për vdekje këmbësorin

Një këmbësor ka vdekur pasi nuk ka arritur t’i shpëtojë lëndimeve të marra pas goditjes nga një veturë në Drenas, ditën e hënë.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur për Gazetën Insajderi zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Ajo ka bërë të ditur se vdekjen e ka konstatuar ekipi mjekësor në Qendrën Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).

“Rreth orës 10:40 kemi pranuar informatën se në rrugën “Xhevat Dogani”-Drenas, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshirë, një këmbësor dhe një veturë në lëvizje. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar këmbësori, i cili nuk ka arritë të përballojë plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, njoftoi Ahmeti.

“Aktualisht policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë quar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësja e automjetit të përfshirë në aksident është arrestuar”.