Aksident tragjik në Elbasan: Humbin jetën katër persona

Katër persona kanë humbur jetën në një aksident tragjik në Elbasan që ndodhi pasdite pranë Paprrit. Dy persona të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Tri makina u përplasën me njëra-tjetrën dhe njëra prej tyre ka përfunduar në hekurudhën që kalon paralel me rrugën, me një pjesë të mbetur në hekurat anësorë. Dy të tjerat kanë ngelur kryq në rrugë, raporton Balkanweb.

Përplasja ka qenë tepër e fortë e dyshohet se shkak ka qenë shpejtësia dhe parakalimi i gabuar. Mësohet se është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë viktimat dhe të plagosurit pasi nuk hapeshin dyert. Dyshohet se viktimat janë nga një familje, mes tyre një vajzë 25 vjeçe.

Informacion paraprak

Më datë 23.09.2019, në aksin rrugor Elbasan- Paperr, ka ndodhur nje aksident rrugor ku janë përplasur tre automjete, mjeti me drejtues shtetasin G.K., mjeti me drejtues shtetasin O.Sh. dhe mjeti me drejtues shtetasin E.R.

Për pasojë katër shtetas kanë humbur jetën të cilët ishin pasagjerë në mjetin që drejtohej nga shtetasi G.K. Ndërsa dy të tjerë janë jashtë rrezikut për jetën të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e shkakut të aksidentit.