Opozita shqiptare në Maqedoninë e Veriut zyrtarizon koalicionin

Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi zyrtarizuan frontin opozitar në Maqedoninë e Veriut me emrin “Lidhja Evropiane për Ndryshim”.

Koalicioni opozitar i përbërë nga tre partitë politike: Alternativa, Lëvizja Besa dhe Lëvizja Demokratike në zgjedhjet e ardhshme do të shkojë me lista të përbashkëta dhe do të kenë kandidat të përbashkët për president.

Kreu i lëvizjes Besa, Bilall Kasami tha me anë të një statusi se emrin e këtij koalicioni e vendosën pasi “Lidhja”, paraqet edhe dëshminë e fuqisë së bashkimit për t’i arritur qëllimet tona të përbashkëta në interes të popullit.

Ndërkohë tre liderët i ftuan partitë tjera, OJQ-të dhe individët që duan të sjellin ndryshimin ti bashkohen frontit të tyre.

“Ky emër, jo vetëm që është simbolik, sepse asocon në Lidhjet e shumta shqiptarëve në të kaluarën dhe dëshmon bashkëveprimin historik të shqiptarëve, por Lidhja paraqet edhe dëshminë e fuqisë së bashkimit për t’i arritur qëllimet tona të përbashkëta në interes të popullit. Ky emër jo vetëm që është përshkrues, por edhe reflekton me vizionin, misionin dhe objektivat tona të qarta në rrugën EUROPIANE. Dhe, mbi të gjitha, ky emër jo vetëm që është shpresëdhënës, por ngërthen në vete gatishmërinë, guximin edhe këmbënguljen e fuqishme për NDRYSHIM pozitiv të vendit në çdo drejtim. Koalicioni ynë është i vendosur t’u paraprijë nevojave të qytetarëve tanë, t’i sfidojë mangësitë e sistemit tonë dhe t’i japë fund keqmenaxhimit shumëdekadësh të pushteteve të deritanishme, që janë sinonim i politikave të gabuara, i korrupsionit të rrënjosur dhe degradimit të sistemit të shtetit në tërësi”, ka shkruar Kasami./Euronews/