ShBA-ja presion Beogradit që ta njohë Kosovën

SHBA-ja udhëheqëse e sulmeve të NATO-s ndaj ish-Jugosllavisë në Mars të vitit 1999, vazhdojnë ta shohin Ballkanin si një pozitë gjeostrategjike.

Në një takim me Presidentin serb Aleksandër Vuçiq, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tani ka kërkuar haptas rifillimin e negociatave mes Serbisë dhe Kosovës dhe njohje të plotë të ndërsjellë, kështu shkruan sot gazeta gjermane ‘Zuerst.de’.

Siç shkruan kjo gazetë, uebfaqja e Departamentit të Shtetit thoshte se “Sekretari amerikan i shtetit Pompeo i ka bërë thirrje Serbisë që të përqendrohet në këtë qëllim strategjik. Kjo mund të arrihet duke shpejtuar reformat e brendshme dhe rinisjen e bisedimeve me Kosovën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që bazohet në normalizim”, prandaj Pompeo i nxiti të dy palët të shmangnin provokimet.

Edhe BE-ja po kërkon nga Beogradi për një kohë të gjatë të pranojë përfundimisht shkëputjen e Kosovës, përndryshe kërcënon se Serbia nuk do të hyjë në BE, shkruan tutje kjo gazetë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që nga nëntori i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për taksë prej 100 për qind ndaj produkteve me origjinë serbe.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ishte në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare në vitin 2010.

Sidoqoftë, Kosova ende nuk njihet nga 60 vende, përfshirë Rusinë, Kinën, Greqinë, Spanjën dhe Izraelin.