Aksidenti i rëndë në Lipjan, vdes një fëmijë 12 vjeçar

Ka ndërruar jetë njëri nga tre të lënduarit në aksidentin e komunikacionit që ka ndodhur sot në fshatin Gadime të Lipjanit.

Sipas asaj që raporton Telegrafi, viktima dyshohet se është një fëmijë 12 vjeçar

Më herët sot është raportuar se në aksident ka qenë e përfshirë një veturë e tipit “BMW” me targa të huaja, në të cilin gjendeshin familjarë, ndërkaq njëri nga të lënduarit ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë, detaje për aksidentin ka dhënë edhe zëdhënësja e policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Sot rreth orës 15:00 në fshatin Gadime të Lipjanit, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit janë dërguar për trajtimin e nevojshëm mjekësor. Rreth orës 17:15, jemi njoftuar nga QKUK, se njëri nga personat e lënduar në aksident nuk ka arritë të përballoj plagët dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, tha ajo.

Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur një hetim për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti.