Aksion i policisë në 14 lokacione, arrestohen 10 të dyshuar për krime kibernetike

Policia e Kosovës ka arrestuar 10 persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “lëshim i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorim i kartelave të bankës apo të kreditit” dhe “hyrje në sistemet kompjuterike”.

Sipas policisë, aksioni është kryer në 14 lokacione në Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Drenas, Suharekë dhe Deçan.

“Hetuesit policorë kanë zhvilluar veprime hetimore për një periudhë disa mujore, nën dyshimin se disa persona janë përfshirë në veprimtari penale. Veprimet policore janë kryer në koordinim më Prokurorinë e Shtetit. Sot, më 19.009.2023, pas grumbullimit të të dhënave dhe nën dyshimin se janë konsumuar disa vepra penale nga të dyshuarit, është zbatuar një urdhëresë nga gjykata për kontrolle në disa lokacione. Policia e Kosovës për të kompletuar të dhëna e dëshmi rreth rastit, ka kryer kontrolle në 14 lokacione në qytetet: Prishtinë, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Drenas, Suharekë dhe Deçan. Gjatë operacionit policor të sotëm janë arrestuar 10 të dyshuar nën dyshimin se janë përfshirë në veprat penale: ‘lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit’ dhe ‘hyrje në sistemet kompjuterike’”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, të dyshuarit në bashkëveprim me njëri-tjetrin, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër, kanë përdorur kartelat bankare pa autorizim duke bërë transaksione, tërheqje të parave nga bankomatët dhe blerje të gjësendeve të ndryshme, me kartela bankare të cilat kanë arritur në forma të ndryshme t’i komprometojnë. Në këtë rast janë dëmtuar institucionet financiare (bankat) në Kosovë me mijëra euro.

Policia ka sekuestruar prova të ndryshme relevante, përfshirë kompjuterë, telefona celularë, USB, kartela bankare, dokumente, si dhe tre armë dhe municion.

Rasti është duke u trajtuar në koordinim me Prokurorinë e Shtetit.