Reagojnë Veteranët e UÇK-së, kërkojnë veprime urgjente nga Kosova dhe Shqipëria për çështjen e Dick Martyt

U.d i kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, u ka bërë thirrje autoriteteve të shtetit të Kosovës që të ngrenë në instanca ndërkombëtare deklarimet e ish-raportuesit në Këshillin e Evropës, Dick Marty, se është kërcënuar me vrasje nga shërbimi serb e që synonte të fajësonte shqiptarët për këtë.

Në një konferencë për media të mërkurën, nga OVL-ja e UÇK-së kanë thënë se presin veprime si nga Kosova ashtu edhe nga autoritetet e Shqipërisë.

“S’është hera e parë që Serbia mundohet t’ua veshë shqiptarëve të gjitha të këqijat që i ka bërë. Ka pas shumë ngjarje tjera, si rasti ‘Panda’ që i ka vrarë vetë fëmijët dhe është munduar t’ua veshë pjesëtarëve të UÇK-së apo rasti i Martinoviqit me shishen e famshme që gjoja shqiptarët e paskan dhunuar. Serbia si shtet e pushtues vazhdimisht ka bë këso inskenime e ngjarje e është munduar t’ua veshë shqiptarëve. Shteti i Kosovës sot s’do të duhej të heshtte. Qoftë Qeveria, Kuvendi apo Presidenca. Sidomos tash kur gjoja po kërcënohet nga shërbimi serb, e ta ngrejë si çështje në takime me organizmat ndërkombëtarë sepse është luftë kundër Kosovës dhe UÇK-së”, ka thënë Klinaku.

Ai ka shtuar se nga Shqipëria presin që të iniciojë rezolutë të re në Këshillin e Evropës për ta hedhur poshtë raportin e Martyt me të cilin akuzohej UÇK-ja për trafikim organesh.

Klinaku ka kërkuar që Këshilli i Evropës t’i kërkojë falje Kosovës.

OVL-ja e UÇK-së ka kërkuar që edhe Gjykata Speciale ta ftojë si dëshmitar Martyn.