Aktakuza e shantazhit

Shkruan: Arben Fetoshi

Hashim Thaçi e Kadri Veseli janë Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Publikimi i aktakuzës ndaj tyre saktësisht dy muaj pas paraqitjes së saj te Dhomat e Specializuara dhe e cila vazhdon të jetë në shqyrtim nga një gjyqtar i procedurës paraprake, është SHANTAZH ndaj shtetit të Kosovës, është provokim ndaj luftëtarëve të UÇK-së dhe është SPROVË serioze për shtetndërtimin e Kosovës.

S’ka se si të jetë ndryshe kur lajmi publikohet vetëm tri ditë para Takimit të Uashingtonit dhe kur Perëndimi po përgatitej për fundin e kontestit të gjatë Kosovë-Serbi.
Deklarata për shtyp, e formuluar me gjuhë denigruese ndaj Presidentit të Kosovës, i ka zënë “gafil” institucionet, ndërsa ka shkaktuar vërshim reagimesh nga publiku.

Krimet patjetër se duhet të zbardhen, por kjo s’bëhet me linçim publik të udhëheqësve të luftës, dhe aq më pak me qasje të tillë selektive e politike.

UÇK-ja është sublimim i sakrificës për Liri, është kurorëzim i luftës vetëmohuese të shqiptarëve gjatë Jugosllavive e Serbisë fashiste dhe është themel i shtetit të pavarur e sovran të Kosovës.
Fijet e UDB-së, pinjollët e frymës titiste dhe ndonjë mercenar aty-këtu, natyrisht se kanë bërë çmos gjatë këtyre 20 viteve që ta rrënojnë e kompromitojnë sa më shumë.

Në këtë qëllim, dorën në zemër, kemi nga pak kontribut edhe ne, me gabimet tona.
Por, kjo s’mund të jetë kurrqysh arsye për t’u gëzuar e për t’i fërkuar duart nga disa apo edhe nga shumë, në çfarëdo pozite.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe cilido çlirimtar që mund të akuzohet, e kanë fituar luftën dhe prandaj do ta fitojnë edhe këtë betejë, kurse të gjithë ata që sot “ngejnë dolli”, do t’i mbulojë turpi e do t’i mallkojë historia.
Kosova është “gjaku që nuk falet”, prandaj UÇK-ja do të mbetet themeli i shtetit të Kosovës.