Aktakuzë për kreun e Kllokotit për punësime të paligjshme

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë, kundër kreut të Kllokotit Bozhidar Dejanoviq dhe Drejtorit të Arsimit në këtë komunë, G.M., me dyshimin për kryerjen e veprës penale “shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”.

Sipas aktakuzës, sapo i pandehuri B.D. merr postin e kryetarit të komunës së Kllokotit, emëron të pandehurin tjetër G.M., drejtor të arsimit, me ç’rast në bashkëveprim ushtrojnë presion tek të dëmtuarit që të japin dorëheqje.

“Të pandehurit, nga data 01 shkurt 2018, 15 mars 2018 dhe në maj të vitit 2018, në komunën e Kllokotit, me dashje, për shkak të bindjeve politike u kanë mohuar të dëmtuarve të drejtat e përcaktuara me Kushtetutë dhe ligjin e punës, ashtu që për shkak se të dëmtuarit nuk kanë pasur bindje të njëjta politike, me të pandehurit B.D. dhe G.M. dhe kanë përkrahur një tjetër subjekt politik, sapo i pandehuri B.D. merr postin e kryetarit të komunës së Kllokotit, emëron të pandehurin tjetër G.M., drejtor të arsimit, me ç’rast në bashkëveprim ushtrojnë presion tek të dëmtuarit që të japin dorëheqje” thuhet në njoftim.

Sipas prokurorisë të njëjtit, pa respektuar procedurat e parapara me kontratën kolektive dhe ligjin e punës, në mënyrë selektive u kanë ndërprerë marrëdhënien e punës 40 punëtorëve arsimor dhe dhjetë punëtorëve shëndetësor në komunën e Kllokotit, kinse për shkak të kontratave të kundërligjshme, mospërmbushjes së detyrave, shkurtimit buxhetor etj., pa asnjë procedurë disiplinore dhe pa paralajmërim, përkundër asaj që të njëjtit kishin kontrata valide.

“Përpos tjerash, të njëjtit pa eliminuar shkeljet, më 14 mars 2018, kanë shpallur konkurs, duke pranuar punëtorë sipas bindjeve të tyre politike, duke iu shkelur, mohuar dhe kufizuar të dëmtuarve të drejtat e parapara me ligjin e punës”.

Prokurori i rastit, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit t’i shpallë fajtor për këtë vepër penale, e cila iu vihet në barrë.