Albin Kurti: Përsëri do t’i prij listës, nuk kam pranuar vendim nga KQZ

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje , Albin Kurti është deklaruar lidhur me përgjigjen që Këshilli Gjyqësor i Kosovës i ka dhënë KQZ’së për kandidatët të cilën kanë probleme me ligjin.

Ai ka thënë se nuk ka pranuar asnjë njoftim nga KQZ’ja, raporton Gazeta Express.

“Unë nuk jam në dijeni për kurrfarë vendimi të tillë të KQZ-së, nuk kemi marrë ndonjë shkresë, unë si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe as kryesia. Por, ajo çka po vërejë në Kosovës është një entuziazëm i jashtëzakonshëm për zgjedhjet e 14 shkurtit. Kurrë nuk ka pasur më shumë interesim për pjesëmarrje në këto zgjedhje dhe këtu mërgata gjithsesi prinë, por edhe populli në Kosovë, besojë që të gjithë jemi dëshmitarë që me gëzim po e presim 14 shkurtin dhe ky vullnet i madh i qytetarëve për ndryshime, në vitin 2021 besoj që duhet të ndiqet edhe nga institucionet relevante të shtetit”, theksoi Kurti.

Kurti theksoi se institucionet e vendit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit dhe jo t’i vihen përballë atij.

“Ju e dini që unë jam bartës i listës dhe këtë me vendim të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, institucionet e shtetit duhet ta ndjekin vullnetin e popullit të vetëdijesuar si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës dhe jo t’i vihen përballë atij”, tha ai.