Ivica Daçiqit i djeg kërkesa e partisë NISMA për hetim të krimeve serbe në Kosovë

Kryetari i Parlamentit Serb dhe udhëheqësi i Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Ivica Daçiç, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarit të NISMA’s Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

“NISMA Socialdemokrate kërkon nga Prokuroria e Kosovës që menjëherë t’i dorëzojë Zyrës së Prokurorit të Specializuar të gjitha provat që posedon lidhur me krimet e gjenocidit në të gjitha masakrat e shënuara në rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 16 maj 2019 dhe qindra masakra të tjera si akte gjenocidale anekënd Kosovës gjatë të cilave u vranë 1392 fëmijë, 1739 gra dhe rreth 10 mijë shqiptarë të të gjitha moshave dhe të dy gjinive; si dhe dhunimin e mbi 20 mijë grave shqiptare”, tha në një konferencë për medie Sherifi, paraditen e sotme.

Në reagimin e Daçiqit, thuhet se NISMA po tërheq vëmendjen nga gjyqi për krimet e UÇK-së, shkruajnë mediet serbe.

“Është turp që partia e tij (Fatmir Limaj) po tërheq vëmendjen nga gjyqi për krimet e UÇK-së kundër serbëve. E gjithë bota tani e sheh se çfarë krimesh ata kryen kundër serbëve. Dhe ky është vetëm fillimi. Le të merren me këtë,” tha Daçiq.