Ambasada Amerikane nuk e komenton mocionin e mosbesimit, fokusohet te koronavirusi

Krahas pandemisë, Kosova ka hyrë edhe në një krizë të thellë politike.

Pas shkarkimi të ministrit Agim Veliu, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku kryesia e kësaj partie u mblodh dje dhe vendosi të iniciojë rrëzimin e qeverisë.

Prishja e partneritetit u vlerësua të jetë për shkak se në vazhdimësi ka pasur mospajtime në lidhje me shfuqizimin e tarifës ndaj importeve nga Serbia, që shihej si pengesë për vazhdimin e dialogut Kosovë -Serbi.

Heqjen e tarifën e kanë kërkuar më ngulm Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, aleati i Kosovës, SHBA-të nuk dëshirojnë të komentojë vendimet e Kurtit për shkarkimin e ministrit e as të LDK-së për fillimin e mocionit të mosbesimit për Qeverinë. Ambasada thotë se është e fokusuar që të ndihmojë institucionet e Kosovës për të tejkaluar pandeminë e koronavirusit.

“Në këtë moment, Ambasada Amerikane nuk ka koment për situatën polikë në Kosovë. Ne vazhdojmë të bashkëpunojmë me institucionet e Kosovës për të kapërcyer sfidën COVID-19”, thuhet në një përgjigje të Ambasadës Amerikane në Kosovë për lajmi.net.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë gjatë një konference për media të mërkurën se Lidhja Demokratike e Kosovës do të iniciojë mocion mosbesimi ndaj qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme kryetari i LDK-së, është takuar edhe me disa subjekte opozitare për koordinim në Kuvendin e Kosovës lidhur me mocionin e mosbesimit për Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.