Ambasada Amerikane: Po e përcjellim nga afër natyrën e papritur të vendimit për Klan Kosovën

Ambasada Amerikanë në Prishtinë thotë se është në dijeni dhe po e përcjell nga afër çështjen e pezullimit të certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.

Në një përgjigje për gazetën online “Reporteri.net”, një zëdhënës i Ambasadës amerikane ka thënë se e kanë vënë re natyrën e papritur të vendimit të MINT-it.

“Ne jemi në dijeni të vendimit dhe po e ndjekim nga afër këtë çështje. Ne e kemi vënë re natyrën e papritur të vendimit, dhe gjithashtu faktin se revokimi i çfarëdo licencës së cilësdo media është hap domethënës që kërkon shqyrtim rigoroz”, ka thënë një zëdhënës i Ambasadës amerikane për gazetën online Reporteri.net.

“Siç e kemi thënë vazhdimisht, media e lirë dhe e pavarur është thelbësore për demokracitë e forta dhe elastike”, përfundon përgjigja e Ambasadës dhënë ekskluzivisht.