Ambasada Amerikane tregon çka pritet të ndodhë në takimin e Shtëpisë së Bardhë

Kanë mbetur vetëm edhe nëntë ditë deri në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë ku liderët e Kosovës dhe Serbisë do të takohen atje me ndërmjetësimin e emisarit të Donald Trump, Richard Grenell, dhe do të priten edhe nga këshilltari kryesor i presidentit amerikan, Robert O’Brien.

Lidhur me këtë takim sot ka shkruar Ambasada Amerikane në Prishtinë, duke thënë se takimi në Washigton do t’i hap dyert për zhvillimin ekonomik të rajonit.

Nga Ambasada shpresojnë që Kosova dhe Serbia ta shfrytëzojnë këtë takim për t’u futur në një etapë të re të stabilitetit dhe një të ardhme më të mirë. Sipas tyre, njerëzit e rajonit meritojnë një gjë të tillë.

“Kjo mundësi nga Shtëpia e Bardhë i hap dyert për një zhvillim të ri ekonomik dhe investimeve. SHBA’ja shpreson që liderët e Kosovës dhe Serbisë do të shfrytëzojnë këtë mundësi për t’u rikthyer në dialog dhe për ta nisur një etapë të re të stabilitetit dhe prosporitetit. Njerëzit e rajonit e meritojnë këtë”, thuhet në postimin e Ambasadës Amerikane të Prishtinë në Twitter./Express/