Lajmi i keq: 120 mijë punëtorë mund të mos paguhen këtë muaj ose të marrin gjysmë

Përhapja e koronavirusit në Kosovë ka nisur që t’i tregojë efektet e para edhe në ekonominë e vendit.

Mbi 10 milionë euro në ditë është bërë e ditur se humb ekonomia e Kosovës.

Kreu i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi tha se këtë muaj 120 mijë punëtorë rrezikojnë të mos marrin paga, ose t’i marrin ato të përgjysmuara.

Ai ka shtuar se kjo është pasojë e mbylljes së bizneseve për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Te sektorët sikur ndërtimi dhe prodhimi kemi rënie të qarkullimit deri më 20%, pothuajse të gjithë sektorët e ekonomisë janë prekur direkt ose indirekt.

Nga 240 mijë punëtorë janë 120 mijë punëtorë që janë jashtë vendeve të punës e që ose do ta marrin pagën të përgjysmuar ose nuk do ta marrin fare”, deklaroi ai.

Rukiqi ka thënë se kompensimi i Qeverisë së Kosovës për punëtorët e sektorit privat prej 170 euro është e vogël ai ka kërkuar që kjo të rritet në 289 euro.Ai ka deklaruar tutje se nëse kjo gjendje do të zgjasë me muaj, atëherë do të ketë mbi 1 miliardë euro dëme.

“Kjo është jashtëzakonisht shumë për ekonominë tonë. Nëse kjo zgjat deri në 3 muaj, që janë diku 1 miliardë euro dëme në ekonominë e vendit”, tha ai.Rukiqi përmendi se ka rënie të qarkullimit deri në 20% në sektorin e ndërtimit dhe prodhimit.