Ambasadori amerikan Kosnett: Kriminelët e dënuar të luftës nuk kanë vend në Qeverinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe udhëheqës të tjerë në vend, kanë marrë një vërejtje të ashpër nga Shtetet e Bashkuara, në mbrëmjen e së mërkurës.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka kritikuar fillimisht shefin e ekzekutivit të vendit, pasi e bëri këshilltar të tij ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi, pas lirimit të tij nga burgu.

“Kriminelët e dënuar të luftës nuk kanë vend në qeverinë e Kosovës”, ka shkruar Kosnett, në llogarinë e tij në Twitter.

“Udhëheqësit e të gjitha partive në Kosovë duhet të ndalen së mbështeturi individë të tillë”, është shprehur ambasadori amerikan.

“Një mbështetje e tillë vë në dyshim angazhimin e Kosovës për sundim të ligjit”, ka thënë Kosnett.

Ambasadori ka përshëndetur “grupet nga komunitete të ndryshime” për reagimin e tyre ndaj qeverisë dhe ndaj krerëve të partive.