Ambasadori britanik i shkon në zyre Isa Mustafës para takimit me kryesinë

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abott ka vizituar Lidhjen Demokratike të Kosovës në selinë kryesore të kësaj partie, pak momente para se kryesia e këtij subjekti të mblidhet për të diskutuar në lidhje me arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Takimi me ambasadorin britanik ka filluar rreth një orë më parë, ndërkaq ende nuk është bërë e ditur se për çfarë po bisedohet.

Kjo vizitë e Abbot është bërë në ditën kur LDK përkujton presidentin historik, Ibrahim Rugova, dhe pak orë para se të diskutohet në kryesi për koalicionin me VV’në.

Gjatë homazheve te varri i ish-presidentit Rugova, nënkryetari i LDK’së, Agim Veliu, ka deklaruar në lidhje me qëndrimet e kësaj partie për të cilat thotë se nuk ka lëvizje dhe se po presin përgjigje nga partia e Albin Kurtit.

“Ne kemi dhënë ofertën tonë dhe jemi në pritje që LV-ja të deklarohet përndryshe diçka tjetër nuk kemi. Është çështje e kryesisë sot nuk e di çka do të vendosë kryesia. Oferta jonë është ajo çka është dhënë, është parimore, sigurisht që edhe kryesia e LDK-së do të qëndrojë aty”, tha sot Veliu. /gazetametro.net